“Mos vdeksh kurrë, Fatos Nano!” Rama: Lamtumirë themeluesit të PS. Do renditet në rreshtat e nderit të historisë
Kryeministri Edi Rama ka mbajtur fjalën e lamtumirës për ish-kryeministrin Fatos Nano, duke përkujtuar me emocione të thella jetën dhe veprën e tij.
Rama përkujtoi pasionin dhe integritetin e Nanos, forcën e tij për t’i qëndruar besnik parimeve edhe në momentet më të vështira, dhe mënyrën se si ai frymëzonte të gjithë rreth tij për të ndërtuar një Shqipëri më të drejtë dhe më të qytetëruar.
Në një fjalim të ngarkuar me emocione dhe reflektime personale, Rama përshkroi figurën e Nanos si njeriun që udhëhoqi tranzicionin e së majtës shqiptare, duke e çliruar nga e shkuara komuniste dhe duke e bashkuar me botën demokratike. Ai foli për guximin, vizionin dhe dashurinë e Nanos për Shqipërinë, duke e cilësuar atë si një “njeri vlerash që e admiruan edhe ata që e kallën në burg”.
Nano, sipas Ramës, nuk ishte thjesht një politikan, por një figurë që la gjurmë të thella në historinë e vendit dhe në kujtesën e shqiptarëve. Ai theksoi rolin kyç të Fatos Nanos në historinë politike dhe kombëtare të vendit, duke nënvizuar ndihmën që dha për UÇK-në dhe për nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit, që solli paqe e stabilitet në rajon.
Kryeministri kujtoi edhe burgosjen e padrejtë e Nanos, që e bëri atë një figurë të pathyeshme dhe të pakonkurrueshme brenda Partisë Socialiste.
Sipas tij, Nano ishte themeluesi i familjes socialiste dhe njeriu që i dha një drejtim të ri së majtës shqiptare në momentet më të errëta të historisë moderne të vendit.
“Mos të them lamtumirë, po thjesht: mos vdeksh kurrë, Fatos Nano”, ishin fjalët përmbyllëse të Ramës.
Rama: Njeri i vlerave, që e admiruan edhe ata që të kallën në burg
Nano, sipas Ramës, nuk ishte thjesht një politikan, por një figurë që la gjurmë të thella në historinë e vendit dhe në kujtesën e shqiptarëve.
“Sa do të doja, i dashur Fatos, të uleshim sonte në një nga ato darkat tona të rralla të viteve të fundit, plot me shijen e ajrit të pastruar mes nesh, dhe të kalonim deri vonë në atë revistën tonë të ngjarjeve dhe personazheve të ndryshëm, të gjithë ato që i shkruam për ty deri sa ike përgjithmonë.
Sa të paskan dashur dhe admiruar edhe ata që nuk kanë guxim për të thënë gjë tjetër. Edhe ata që të kallën në burg dhe shpërndanë mbi ty gjithë të zezat e gjuhës shqipe, vetëm ta shihje sa bukur kanë qëndisur fjalët e admiratës së tyre.
Në vend që të qeshja ca me ty sonte, mua më duhet të rendis fjalët e lamtumirës, të cilat nuk i imagjinova dot. Mendova në atë çast vetëm gruan tënde, Xhoanën, që vazhdonte të rrinte pranë kokës sate si një roje besnike e gjumit tënd të pambarimtë. Asfare nuk të mendova ty të shtrirë në arkëmort për të ikur nga kjo jetë, që e deshe dhe e jetove, duke ia marrë sundimeve të natës dhe duke pirë gotat e fatit. I japim lamtumirën themeluesit të partisë sonë”, tha Rama.
Rama: Nano do renditet në rreshtat e nderit të historisë me ndihmën që dha për UÇK dhe Marrëveshjen e Ohrit
Kryeministri Edi Rama ka theksuar rolin kyç të tij në historinë politike dhe sociale të vendit të Fatos Nanos.
Ai tha se kontributi i Nanos për çlirimin e Kosovës dhe nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit e rendisin ish-kryeministrin në faqet e nderit të historisë shqiptare.
“Ndër ata që e nderuan kryetarin tonë pas vdekjes, ishin dhe ata që quajtën tradhtar pse takoi Millosheviç gjatë një aktiviteti në Selanik dhe plotë të tjera që s’ia vlen ti kujtojmë, unë e kam dëgjuar prej tij, bisedën me kapsapin e Beogradit dhe se kam idenë nëse fatosi e ka lënë të shkruar diku, por jo vetëm që në atë takim, bisedë s’ka asgjë prej tradhtari, por kur një ditë të dalin si duhet të ndritë fjalët e thëna në atë takim si edhe takimet dhe bisedat e Nanos me patriotët e lëvizjes kombëtare për lirinë dhe të drejtat e shqiptarëve në Kosovë dhe Maqedoni. Kontributi patriotik për çlirimin e Kosovës dhe nënshkrimin e marrëveshjes së Ohrit, do e rendisin fatos Nanon në rreshtat e nderit të historisë së Shqipërisë. Nano ishte kyç në kalimin e shkretëtirës prej socialistëve dhe bashkimin e tyre me botën demokratike”, tha Rama.
Rama nënvizoi rolin e tij si themelues i transformimit të Partisë Socialiste dhe udhëheqës i një vizioni progresist për Shqipërinë.
“Marrëdhënia jonë nisi mes ekstremesh, deri tek birësimi im te familja socialiste deri tek vrasja e babit për marrjen e spektrit të tij, nuk ka vend këtu. Ka vend vetëm për një fakt, nëse jam unë sot zëdhënësi i hidhërimit të familjes socialiste, kjo lidhet me intuitën dhe guximin e tij, duke më dhënë vend në odën e familjes tonë”, tha Rama.
Rama: Burgosja e padrejtë e Nanos e bëri të pakonkurrueshëm brenda PS
Rama kujtoi se burgosja e padrejtë e Nanos e bëri atë një figurë të pathyeshme dhe të pakonkurrueshme brenda Partisë Socialiste.
Duke e përshkruar atë si një figurë të jashtëzakonshme të tranzicionit politik shqiptar, Rama kujtoi përpjekjet e Nanos për të udhëhequr vendin në momentet më të errëta të historisë moderne të Shqipërisë.
“Fatosi ishte themeluesi i familjes sonë politike, njeriu që iku sot pa kthim. Ai e befasoi historinë me vizionin dhe guximin e tij, duke krijuar një standard të ri për liderët e ardhshëm. Pa sakrificën e tij, socialistët do të kishin pasur fat më të kufizuar. Pas katrahurës rrafshuese të ‘97 duke u përballur me një opozitë privative, hakmarrëse deri në sulme të armatosura ndaj institucioneve dhe ndaj tij, personalisht dhe fizikisht. Gjithsesi, kjo nuk është dita për të shkruar historinë e Fatos Nanos, por dita për t’i dhënë atij lamtumirën. I dashur Fatos, do të më mungojnë darkat e rralla miqësore, këshillat e tua më ndihmonin të vendoja pikat mbi i. Më vjen krejt natyrshëm të mos të të them lamtumirë, po thjesht mos vdeksh kurrë Fatos Nano”, tha Rama.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




