Mungesa e gjatë e reshjeve, Liqeni i Fierzës shënon sërish rënie
Edhe pse ndodhemi në stinën e dimrit, kur reshjet e shiut dhe borës pritet të jenë të pranishme, prej disa javësh ato mungojnë pothuajse tërësisht në qarkun e Kukësit. Kjo situatë ka ndikuar drejtpërdrejt në uljen e nivelit të liqenit të Fierzës, i cili shërben si bazeni më i madh ujëmbledhës në vend.
Pavarësisht se temperaturat gjatë kësaj periudhe kanë qenë të ulëta, në disa raste edhe nën zero gradë Celsius, reshjet kanë qenë minimale ose të papërfillshme. Si pasojë, niveli i liqenit ka shënuar rënie të ndjeshme.
Në krahasim me ditët e para të muajit dhjetor, kur niveli i liqenit të Fierzës ishte 281.85 metra, aktualisht ai ka zbritur në kuotën 278.73 metra, duke shënuar një rënie prej rreth 3 metrash.
Për të ruajtur rezervat ujore dhe për të garantuar prodhimin e energjisë elektrike, HEC-i i Fierzës po operon me turbina të alternuara, në mënyrë që të menaxhohet me kujdes sasia e ujit të akumuluar.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




