Naftëtarët protestë para “Bankers Petroleum”- Dita e 15-të e grevës së urisë, për paga e kushtet
Në ditën e 15-të të grevës së urisë, protesta e naftëtarëve që e mbështesin me bojkotim të punës u zhvendos në Fier, përballë zyrave të shoqërisë Bankers Petroleum. Me kërkesë për rritje pagash dhe kushte më të mira në punë, protesta është udhëhequr nga Dritan Shahu, kryetar i sindikatës së sektorit hidrokarbur.
“Ne kërkojmë që naftëtarët të trajtohen me dinjitet dhe stop pagave diskriminuese. Kemi kërkuar rishikimin e fondit të pagave dhe shpërndarjen e saj për punonjësit që marrin paga më të ulëta.” Grevistët hodhën akuza të drejtpërdrejta ndaj abuzimeve financiare dhe trajtimit çnjerëzor që u bëhet. “I kanë bërë presion punëtorëve, u kanë vajtur nëpër shtëpi. U kanë gjetur adresat ku punojnë gratë, burrat. Është një zinxhir i tërë korrupsioni. Këtu ka njerëz pa meritokraci dhe që kanë pozicione të larta dhe sulmojnë të tjerët.”
Shoqëria Bankers ka zgjedhur heshtjen zyrtare përballë kërkesave të naftëtarëve. Sakaq, në lëvizje është vënë Institucioni i Avokatit të Popullit, Inspektorati i Punës dhe Komisioneri kundër Diskriminimit, të cilët janë takuar me grevistët dhe po mbledhin informacionin e nevojshëm.
Shoqëria Bankers shfrytëzon prej 20 vitesh 600 puse në vendburimin e naftës në Marinzë me kontratë me shtetin shqiptar deri në vitin 2029. Ndërkohë, SPAK po vijon hetimet mbi ish-drejtuesit e shoqërisë dhe fshehjen e të ardhurave ndaj shtetit shqiptar.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




