Ndahet nga jeta Agim Mero, inxhinieri që ia kushtoi jetën të rinjve

Kulturë | 2 vite më parë

Jetën ia kushtoi të rinjve, dhe inxhinieri i njohur Agim Mero shkoi në amshim si një dëshmitar mbi të vërtetat e së shkuarës.

Agim Mero ishte një ndër personazhet kryesore të organizimeve masive në kohën e socializmit.

Me profesionin inxhinier Agim Mero arriti deri në postin e Sekretarit kryesor të Rinisë në Komitetin Qendror, por pas viteve ’70, kur Enver Hoxha ndërmori iniciativën e tij ideologjike, Agim Mero u shkarkua dhe shpëtoi për pak nga burgu.

“Goditja qe për liberalizmin, për liberalizmin e rinisë. Si anëtar i Komitetit Qendror mua më përjashtuan dhe më çuan në Laç,” tregonte ai dikur për emisionin “Autor” në RTSH.

Agim Mero tregoi si pakkush të mirat dhe të këqijat e kohës së socializmit, duke mbetur nga të paktët individë pas viteve ’90 që ka treguar pa komplekse periudhën e emancipimit të shoqërisë shqiptare, arsimimin dhe përkushtimin idealist, ashtu si edhe problematikat e saj.

“Deri në 1945 ishim 92 për qind analfabetë, pothuaj i gjithë populli,” kujtonte ai atëherë.

Inxhinieri i cili mbajti edhe postin e kryetarit të Forumit Joqeveritar për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës në Gjirokastër, aty ku edhe lindi, do të mbahet mend si njeriu që nuk lejoi që gazeta “Studenti” të kritikonte prezantuesit e Festivalit të 11-të në Radio Televizionin Shqiptar.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme