Ngërçi për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, palët ende pa konsensus. Shtyhet seanca, opozita mungon në Kuvend
Kuvendi i Kosovës pritet të mblidhet në orën 14:00 për zgjedhjen e presidentit të ri. Shtyrja e seancës erdhi pasi deputetët e opozitës nuk ishin në sallë.
Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu duke u bërë thirrje për praninë e tyre u shpreh se veprimet e opozitës, duke bojkotuar seancën për zgjedhjen e presidentit, janë në kundërshtim me parimet kushtetuese.
“Për t’i dhënë atyre mundësinë që të jenë të pranishëm në këtë seancë po e vazhdojmë këtë seancë në orën 2. Pra, shihemi në orën 2”
Nëse presidenti i ri i Kosovës nuk zgjidhet brenda mesnatës së sotme, vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme brenda 45 ditësh.
Në votim, një ditë më parë morën pjesë 64 deputetë. Feride Rushiti mori 63 vota, ndërsa një votë u shpall e pavlefshme. Kandidatja tjetër, Hatixhe Hoxha, nuk siguroi asnjë votë. Opozita nuk mori pjesë në proces, duke e cilësuar atë si antikushtetues.
Kreu i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, tha se nominimet u bënë për të shmangur zgjedhje të reja dhe se seanca kishte kuorum për nisje. Ndërkohë, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, e quajti zhvillimet “puç kushtetues”, duke insistuar se Kushtetuta kërkon prezencën e 80 deputetëve për votim.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e cilësoi natën si “të rëndë për demokracinë”, duke theksuar se presidenti duhet zgjedhur përmes marrëveshjes politike. Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, e quajti seancën “sulm ndaj Kushtetutës” dhe “tentim për grusht-shtet”.
Një ditë më parë kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, shpalosi listën me 15 votat e deputetëve për, siç tha ai, kandidatin për president të propozuar nga LDK, duke mos e përjashtuar as mundësinë që votat të shkonin për Vjosa Osmanin.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




