Operacioni në Fier-Abuzuan me 40 mln lekë nga arkat e bashkisë, ish-nënkryetarja në arrest shtëpie. Ja masat ndaj 3 të tjerëve

Prokuroria e Fierit së bashku me policinë vendore të këtij qyteti kanë kryer një operacion të befasishëm në orët e vona të mbrëmjes së djeshme.
Në këtë operacion janë vendosur në pranga disa persona, mes të cilëve spikat emri i ish-nënkryetares së bashkisë Fier, Adela Hysenaj.
Sipas njoftimit të policisë së Fierit, personat e arrestuar dyshohet se kanë abuzuar me rreth 40 milionë lekë në arkën e bashkisë së Fierit, ndërsa bëhet e ditur se nënkryetarja Hysenaj ndodhet në arrest shtëpie, ndërkohë që operacioni vijon.
“Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Fier në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, pas një pune hetimore disamujore, në kuadër të një procedimi penal të vitit 2025, ka finalizuar operacionin policor “Parking”.
Në kuadër të tij u ekzekutuan masat e sigurisë:
- “Arrest në shtëpi” për shtetasen A. H., 34 vjeçe, banuese në Fier, ish-Drejtoreshë e Përgjithshme e Taksave dhe Urbanistikës së Bashkisë Fier dhe ish-Zëvëndës Kryetare e Bashkisë Fier, për veprat penale “Shperdorimi i detyrës” dhe “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike;
- “Arrest në shtëpi” dhe “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për shtetasin V. C., 41 vjeç, banues në Fier, Drejtor në Drejtorinë e Verifikimit dhe Koordinimit në Terren për Rajonin Jugor në Drejtorinë Rajonale Tatimore Fier, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
- “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, për shtetasen A. C., 38 vjeçe, banuese në Fier, Drejtoreshë në Drejtorinë e Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë Fier, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
- “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, për shtetasin M. D, 57 vjeç, banues në Fier, sekretar i Përgjthshëm i Bashkisë Fier, për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Policia e Fierit shpjegon më tej se ‘këta shtetas, duke mos vepruar sipas kuadrit ligjor për vendosjen e kasës së fiskalizimit për parkimin nëntokësor që administron Bashkia Fier, nuk kanë arkëtuar shumën prej rreth 40 milion lekë në arkat e Bashkisë Fier’
Gjithashtu, sipas policisë, këta shtetas, nëpërmjet shpërdorimit të detyrës, kanë ulur taksat e subjekteve të ndryshme tregëtare në Fier, kundrejtë përfitimit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




