“Paga minimale shkon 50 mijë lekë”, Pirdeni zbardh Buxhetin 2026: Ja si ndryshojnë pagat për mjekët, mësuesit dhe administratën

Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, njoftoi sot detajet e Buxhetit 2026, duke konfirmuar një rritje të gjerë pagash që preku kategoritë me të ardhura më të ulëta, shëndetësinë, arsimin dhe policinë.
Në fjalën e saj në Kuvend, Pirdeni bëri të ditur se duke filluar nga janari 2026, paga minimale në administratë do të pësojë një rritje prej 10 mijë lekësh, duke arritur në nivelin e 50 mijë lekëve.

Rritja me 25% për kategoritë mbështetëse
Sipas ministres, përfituesit kryesorë në përqindje nga ky buxhet janë punonjësit e shërbimeve mbështetëse.
“Janë 10,600 punonjës shërbimi, sanitarë, shoferë, teknikë, protokollistë, arkivistë dhe magazinierë që do të përfitojnë nga rritja e pagës minimale. Kjo përkthehet në një rritje prej gati 25% për këtë kategori,” theksoi Pirdeni.
Për specialistët e administratës publike, rritja e parashikuar është 5,000 lekë në muaj.
Risia në shëndetësi, pagesa për vjetërsinë
Për herë të parë, në sektorin e shëndetësisë, përveç indeksimit të pagës, do të fillojë edhe llogaritja e vjetërsisë në punë. Kjo sjell rritje të ndjeshme për bluzat e bardha:
Mjekët e përgjithshëm- Paga shkon nga 131,700 në 143,500 lekë.
Mjekët në spitale- Paga shkon nga 174,000 në 186,000 lekë.
Infermierët- Paga shkon nga 87,000 në 92,500 lekë.
Arsimi dhe policia
Për mësuesit, buxheti parashikon një shtesë page prej 3,000 lekësh në muaj.
Ndërkohë, për Policinë e Shtetit, Pirdeni sqaroi mekanizmin e rritjes, i cili bazohet tek indeksimi dhe vjetërsia. Ajo dha shembuj konkretë për një punonjës me vjetërsi mesatare 15 vjet:
Inspektorët- Paga bazë rritet në 84,500 lekë, por me shtesat e kushteve dhe ushqimit arrin mesatarisht në 100,000 lekë.
Drejtorët (Drejtues i thjeshtë)- Paga bazë shkon në 141,450 lekë, ndërsa totali bruto arrin në 156,450 lekë.
Konteksti politik dhe Integrimi
Ministrja e lidhi këtë buxhet me angazhimin e qeverisë për vizionin “Shqipëria 2030” dhe suksesin e negociatave me BE-në.
“Buxheti 2026 është angazhim për të çuar përpara reformat. Vetëm dy ditë më parë, Shqipëria hapi me sukses të 33 kapitujt e negociatave me një shpejtësi të paprecedentë,” përfundoi Pirdeni.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




