PD kundër “Paqes Fiskale”, Bozdo: Falja e detyrimeve favorizon evazionin, dëmton bizneset e ndershme

Politikë | 12 muaj më parë

Nënkryetari i Komisionit të Ekonomisë, Eno Bozdo, deklaroi se Partia Demokratike është kundër paketës fiskale të miratuar nga socialistët në komisionin parlamentar, duke përfshirë projektligjin për faljen e detyrimeve dhe atë për “Paqen Fiskale”.

Sipas Bozdo, projektligji për faljen e detyrimeve parashikon faljen e 2 miliardë eurove për bizneset që kanë përfituar pa të drejtë, duke dëmtuar bizneset e ndershme dhe inkurajuar evazionin fiskal.

“Me një të rënë të lapsit, socialistët miratuan në komisionin parlamentar projektligjin për faljen e detyrimeve, i cili parashikon faljen e 2 miliardë eurove për bizneset që kanë përfituar pa të drejtë, përmes evazionit fiskal, kontrabandës, shmangies së detyrimeve doganore, akcizës etj.

PD konstaton se kjo falje detyrimesh dëmton rëndë bizneset e ndershme që paguajnë rregullisht taksat dhe tatimet dhe është një ftesë për evazion fiskal, duke pritur amnistinë e radhës”, tha Bozdo.

Po ashtu, tha Bozdo, projektligji për “Paqen Fiskale” krijon mekanizma që u hapin rrugën pabarazive dhe evazionit fiskal.

“Edhe në projektligjin për “Paqen fiskale” parashikohet një mekanizëm ku, nëse një biznes deklaron paraprakisht për vitin 2026 një fitim 18% më të lartë se vitin e kaluar, çdo fitim mbi këtë shifër do të taksohet vetëm 5%, në vend të normës së zakonshme. Kjo krijon një pabarazi dhe hap rrugë për evazion fiskal, veçanërisht në sektorin e ndërtimit, ku shpesh qarkullojnë paratë e pista, ndërsa qeveria mbyll sytë.

Ne kundërshtojnë këtë projektligj edhepër një mekanizëm tjetër, i cili u lejon bizneseve të ndryshojnë bilancet kontabël për tre vitet e fundit pa ndonjë problem. Në praktikë, kjo mund të përdoret për të korrigjuar evazionin fiskal pa i hyrë gjemb në këmbë. PD nuk është kundër amnistive apo një klime të mirë biznesi, por nuk pranon që përmes paketeve fiskale të favorizohen ata që kanë bërë evazion fiskal, duke dëmtuar bizneset e ndershme.

Të dy projektligjet, si ai për faljen e detyrimeve dhe ai për paqen fiskale, ka mungesë transparence, nuk janë të përgjegjshme dhe dëmtojnë, në vend që të përmirësojnë klimën e biznesit në vend. PD është kundër kësaj pakete”, tha Bozdo.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme