Përplasen dy trena në Greqi, 43 të vdekur, 85 të plagosur! Arrestohet kreu i stacionit në Larisa, jep dorëheqjen ministri i Transportit

Rajon | 4 vite më parë

Një tragjedi e rëndë është shënuar  në Greqi, ku dy trena janë përplasur kokë më kokë e për pasojë 43 persona kanë humbur jetën dhe 85 të tjerë kanë mbetur të plagosur. Tashmë kanë nisur hetimet ndërkohë që bilanci i viktimave mund të jetë edhe më i madh. 

Ora 21.00 Tragjedia në Greqi, shkon në 43 numri i viktimave, shumica 20-30 vjeç

Ka shkuar në 43 numri i të vdekurve nga përplasja e dy trenave në Tempi të Greqisë.

Ekspertiza mjeko-ligjore ka përfunduar në 43 trupa, ku pjesa më e madhe e tyre kanë të bëjnë me fëmijë të moshës 20-30 vjeç.

19.50 Tragjedia në Greqi, Mitsotakis: Përgjegjësit për aksidentin do përgjigjen para drejtësisë

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis tha se përgjegjësit e tragjedisë së përplasjes së dy trenave do të përgjigjen para drejtësisë. Në një dalje për mediet, pasi vizitoi zonën ku ndodhi aksidenti tragjik, Mitsotakis tha se familjarët e viktimave kërkojnë përgjigjen se pse ndodhi kjo, ndërsa shtoi se aksidenti ishte “kryesisht gabimit njerëzor”.

 “Sapo jam kthyer nga skena e një tragjedie që do të mbetet përgjithmonë në kujtesën tonë kolektive. Aty humbën jetën dhjetëra bashkëqytetarë tanë, shumica fëmijë të vegjël, në një aksident të tmerrshëm treni të paprecedentë në vendin tonë.

Falenderoj nga zemra gratë dhe burrat e aparatit shtetëror që u mobilizuan që në momentin e parë. Zjarrfikësit dhe shpëtimtarët, oficerët e EKAV-it, Policisë, Pushtetit Vendor, si dhe mjekët dhe punonjësit e shëndetësisë dhe psikologët në spitalet tona. Ata bënë dhe po bëjnë më të mirën në kushte jashtëzakonisht të pafavorshme.

Kam takuar familjarët e viktimave dhe të zhdukurve në spitalin e Larisës. Në dhimbjen e tyre të patregueshme, me një tepricë dinjiteti, më pyetën “pse”. Dhe ata më thanë “kurrë më”. Ne u detyrohemi atyre një përgjigje të sinqertë”, tha Mitsotakis.

Kryeministri foli edhe për dorëheqjen e ministrit të Transportit, ku tha se mbajti përgjegjësi politike. Për hetimin e plotë të shkaqeve të ngjarjes, Mitsotakis u shpreh se do të ndrihet një Komiteti Ekspertësh të pavarur dhe ndërpartiak.

“Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Kostas Karamanlis, duke marrë përgjegjësinë politike, ka paraqitur menjëherë dorëheqjen. Po ashtu edhe krerët e OSE-së dhe ERGOSE-s. Qëndrimi i tij e nderon, pasi gjithçka tregon se drama i detyrohet, fatkeqësisht, kryesisht gabimit tragjik njerëzor. Ministër kalimtar, deri në zgjedhjet kombëtare, emërohet Ministri i Shtetit, Giorgos Gerapetritis, nga i cili tashmë kam kërkuar që të procedohet me shpejtësi me ngritjen e një Komiteti Ekspertësh të pavarur dhe ndërpartiak, i cili do të shqyrtojë plotësisht shkaqet e aksidentit.

Në të njëjtën kohë, Drejtësia do të bëjë punën e saj. Do të caktohen përgjegjësit. Ndërsa shteti do të qëndrojë pranë familjeve të viktimave. Ne do të vajtojmë fëmijët tanë, vëllezërit e motrat, miqtë tanë. Ne do të mbetemi të bashkuar edhe në këtë tragjedi. Dhe, atëherë, ne do të përkulim kokën dhe do të shtrëngojmë dhëmbët. Do të punojmë që kjo “kurrë më” që kam dëgjuar në Larisa të mos mbetet fjalë boshe”, tha Mitsotakis.

Një tragjedi e rëndë u shënua në orën 23.21 të 28 shkurtit në Greqi, ku dy trena janë përplasur kokë më kokë e për pasojë 43 persona kanë humbur jetën dhe 85 të tjerë kanë mbetur të plagosur.  

Ora 18:50 Tragjedia në Greqi, video nga momenti i përplasjes së dy trenave, ndodheshin në të njëjtën linjë

Ora shënonte 23.21 e datës 28 shkurt kur jeta e 350 pasagjerëve që ndodheshin në trenin e nisur nga Athina për në Selanik, ndryshoi përgjithmonë.

Treni i pasagjerëve dhe një tren i mallrave u përplasën kokë më kokë, duke u marrë jetën të paktën 40 personave dhe plagosur 85 të tjerë. Kjo tragjedi është filmuar nga kamerat e sigurisë, ku mediet greke kanë publikuar momentin e përplasjes së dy trenave. 

Nga video vihet re se trenat ishin në të njëjtën linjë, duke u përplasur kokë më kokë. Nuk dihet ende arsyet se pse trenat nuk ishin koordinuar për lëvizjen, por deri tani kreu i stacionit të Larisës ka pranuar fajin.

Vijojnë ende kërkimet për persona të bllokuar nën rrënoja. 

Për të parë videon e plotë të përplasjes klikoni këtu.

Ora 17:00 Përplasja e trenave në Greqi, pamjet me dron nga tragjedia

Pamjet e kapura nga një dron tregojnë pasojat e një aksidenti tragjik në Greqi, ku një tren me pasagjerë u përlasë me një tren mallrash.

Operacionet e kërkim-shpëritmit vijojnë ende për gjetjen e të bllokuarve nën rrënoja, ndërsa vinçat heqin vazhdimisht pjesë të trenit për t’i krijuar mundësinë zjarrfikësve të kontrollojnë brendësinë e vagonëve.

Ora 16:40 Aksidenti tragjik në Greqi, jep dorëheqjen ministri grek i transportit

Kostas Karamanlis ka dhënë dorëheqjen si ministër i infrastrukturës dhe transportit, duke deklaruar se: “Kur ndodh diçka kaq tragjike, është e pamundur të vazhdohet dhe të pretendohet sikur nuk ka ndodhur. “Kjo quhet përgjegjësi politike. Për këtë arsye, jap dorëheqjen time si ministër i Infrastrukturës dhe Transportit“.

Kjo, sipas tij, është çfarë ai ndjen si detyrim për të bërë, si një shenjë respekti ndaj kujtimit të njerëzve që vdiqën „në mënyrë të padrejtë“.

“Nga thellësia e zemrës sime, shpreh dhimbjen dhe mbështetjen time për familjet e viktimave”- deklaroi ai.

Ora 13:00 Zyrtare: Deri tani 5 shqiptarë mes të plagosurve nga përplasja e dy trenave në Greqi

Pesë persona me nënshtetësi shqiptare rezultojnë të plagosur konfirmon Ministria jonë e Jashtme.

Përmes një njoftimi për medien shtetasit e plagosur janë jashtë rrezikut për jetën e po trajtohen në kushte spitalore ndërsa ende nuk ka informacion  nëse ka shqiptarë mes viktimave.

Bazuar në komunikimin e fundit që ambasada dhe konsullata shqiptare në Greqi kanë patur me autoritetet greke, deri më tani nuk ka informacion për shtetas shqiptarë në rradhët e viktimave të aksidentit hekurudhor. Po vijohet me identifikimin e tyre. 5 persona me nënshtetësi shqiptare rezultojnë të plagosur, jashtë rrezikut për jetën e po trajtohen në kushte spitalore” thuhet në njoftimin e ministrisë mesditën e sotme.

Ora 12:30 Arrestohet kreu i stacionit të Larisës

Autoritetet greke kanë vënë në pranga komandantin e stacionit të Larisës, si fajtorin kryesor për aksidentin tragjik në Tempe. Sakaq, policia po vijon hetimet për shkaqet dhe përgjegjësit e aksidentit fatal që u ka marrë jetën deri në këto momente 38 personave. Kryesimin e hetimeve e ka marrë Drejtori i Prokurorisë së Larisës, Stamatis Daskalopoulos.

Në kuadër të hetimeve paraprake po hetohet për kryerjen e krimeve të rënda. Konkretisht, bazuar në ndryshimet e fundit në Kodin Penal, krimi i prishjes së sigurisë në qarkullim dënohet me të paktën dhjetë vjet burg nëse vepra ka sjellë vdekjen e një personi tjetër. Nëse është shkaktuar vdekja e një numri të madh personash, gjykata mund të shqiptojë burgim të përjetshëm. Në kuadër të hetimeve paraprake po hetohet edhe krimi i vrasjes me dashje, vepër e rëndë, e cila dënohet edhe me burgim të përjetshëm. Pas përfundimit të hetimeve paraprake, prokurorët do të vendosin nëse do të ndjekin kallëzim penal në këtë rast dhe ndaj kujt.

Ora 12:09 Kryeministri grek ‘garanton’ nga vendngjarja: Do zbulojmë shkaqet e tragjedisë

Ora 11:45 Ambasada Shqiptare në Greqi: Trishtim i thellë, lutemi për shërimin e të lënduarve

Ambasada Shqiptare në Greqi ka reaguar mbi aksidentin fatal të dy trenave në qytetin Tempe ku ka shprehur ngushëllimet për familjet e viktimave, dhe i është bashkuar lutjeve për shërim sa më të shpejtë të të lënduarve.

“Trishtim i thellë për aksidentin tragjik në Tempe të Greqisë. Shprehim ngushëllimet më të sinqerta dhe ndajmë dhimbjen me familjet e viktimave, duke iu bashkuar lutjeve për shërim sa më të shpejtë të të lënduarve”, shkruan Ambasada në rrjetin social Facebook.

Ora 11:00 Identifikimi i viktimave i vështirë 

Ka shkuar në 38 numri I viktimave të aksidentit tragjik të përplasjes së dy trenave. Ndërkohë sipas autoriteteve janë plagosur 85 persona mes tyre 53 janë të shtruar në spital. Në spitalin e Larisës ka nisur identifikimi i viktimave dhe mjekët thonë se për një pjesë të tyre është e nevojshme analiza e ADN-së për të bërë të mundur identifikimin, shkruan CNN grek.

09:55 Përplasja e dy trenave në Tempe, Kosova solidarizohet me Greqinë

Kosova është solidarizuar me Greqinë pas aksidentit fatal. Presidentja Vjosa Osmani ka shprehur ngushëllimet për familjarët e viktimave, ndërsa ka shprehur mbështetjen e Kosovës për popullin grek.

“Zemrat tona janë me popullin e Greqisë pas aksidentit shkatërrues të trenit dhe humbjes tragjike të jetëve. Shprehim ngushëllimet tona më të thella për familjet dhe të dashurit e viktimave dhe u urojmë shërim të shpejtë të plagosurve”, shkruan Osmani në rrjetin social Twitter.

09:35 MEPJ në kontakt me ambasadën për shtetas shqiptarë të përfshirë në aksident! Rama: Lutemi për fqinjët tanë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas tragjedisë në Greqi, ku ka shprehur ngushëllimet për familjarët e viktimave. 

 “Sa keq të dëgjosh për humbjen e jetëve dhe shumë të plagosur në aksidentin tragjik të natës së fundit në Greqi! Ndjejmë dhimbjen e fqinjëve tanë të dashur në një orë kaq të rëndë për kombin e tyre dhe i bashkohemi në lutjet e tyre dhe në ngushëllimet për familjet e viktimave”, shkruan Rama në rrjetin social Twitter.

Për tragjedinë ka reaguar dhe Ministria e Jashtme, e cila ka bërë me dije se është vazhdimisht në kontakt të vazhdueshëm me ambasadën shqiptare në Athinë dhe Konsullatën e Përgjithshme në Selanik lidhur me aksidentin. Ministria ka njoftuar se deri në këto momente nuk ka informacion për shtetas shqiptarë të përfshirë në aksident. 

09:28  Turqia ngushëllon Greqinë për aksidentin tragjik të përplasjes së trenave

Turqia e cila aktualisht po përballet me tragjedinë e tërtmetit shkatërrimtar i ka shprehur ngushëllimet shtetit grek për tragjedinë e ndodhur gjatë natës ku 38 persona kanë humbur jetën deri më tani si pasojë e përplasjes së dy trenave.

 “Me dhimbje mësuam se shumë persona humbën jetën dhe u plagosën mbrëmë si pasojë e aksidentit të trenit në fqinjin tonë Greqi. Shprehim ngushëllimet tona për të afërmit e atyre që humbën jetën në këtë aksident tragjik si dhe për popullin dhe qeverinë greke dhe i urojmë shërim të shpejtë të plagosurve”, shkrunhet në njoftimin për median të Ministrisë së Jashtme të Turqisë.

09:00 – Rritet bilanci i viktimave, deri tani 36 të vdekur. Greqia shpall tre ditë zie

Pas tragjedisë së rëndë që ndodhi në Greqi pas përplasjes kokë më kokë të trenit me pasagjerë dhe trenit të mallrave, Greqia ka shpallur 3 ditë zie kombëtare. Vendimi është marrë mëngjesin e kësaj të mërkure (1 mars) nga Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis. Ky i fundit ka shkuar në vendin e ngjarjes ku ndodhi përplasja fatale që u mori jetën 36 personave dhe plagosi mbi 80 pasagjerë.

Ora 08:50 Tragjedia në Greqi, reagon presidenti Begaj: Shqipëria qëndron krah popullit grek

Presidenti Bajram Begaj ka reaguar për tragjedinë e ndodhur gjatë natës në shtetin fqinj, në Greqi, ku dy trena janë përplasur me njëri-tjetrin duke shkaktuar 38 viktima.

Ora 08:45 Presidentja, Kryeministri dhe Ministrat në vendngjarje! PE: Jemi pranë popullit grek

Presidentja Katerina Sakellaropoulou, kryeministri Kyriakos Mitsotakis dhe Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Kostas Ach, janë nisur drejt vendngjarjes, në Tempi.  Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola u shprehu ngushëllimet e saj familjarëve të viktimave.

“Trishtim i thellë pas aksidentit të tmerrshëm të trenit pranë Larisës në Greqi. Ngushëllimet e mia të sinqerta për të gjitha viktimat, familjet dhe miqtë e tyre. Mirënjohje për të gjithë shpëtimtarët dhe personelin mjekësor në zonë. Mendimet tona janë me popullin grek pas kësaj ngjarje tragjike”, shkroi ajo në rrjetin social Twitter.

Ora 08:30 Dëshmia tronditëse e pasagjeres: Pashë flakë gjithandej dhe gratë që ulërinin

“Pashë flakë gjithandej, pashë copa metali të shkrirë prej vagonëve dhe shumë nga njerëzit tanë humbën jetën, nuk patën kohë të dilnin”. Kjo është një nga dëshmitë tronditëse e një prej pasagjerëve të trenit që u përplas mbrëmë vonë në zonën e Evangelismos  të Greqisë duke shkaktuar 32 viktima. Ajo thekson më tej se ka qenë një frenim i fortë që e ka zgjuar, teksa shumica e pasagjerëve ishin në gjumë.

Ora 07:16  Tragjedi në Greqi/ Përplasen kokë më kokë dy trena, humbin jetën 32 persona, plagosen 85 të tjerë

Një tragjedi e rëndë është shënuar orët e para të kësaj të mërkure (1 mars) në Greqi, ku dy trena janë përplasur kokë më kokë e për pasojë 32 persona kanë humbur jetën dhe 85 të tjerë kanë mbetur të plagosur. Sipas CNN.gr, treni IC62 ishte nisur nga Athina për në Selanik në momentin kur është përplasur me një tren mallrash në zonën e Evangelismos.

Në momentin e përplasjes, sipas të dhënave të publikuara nga kompania Hellenic Train , në bord ndodheshin rreth 350 pasagjerë. Kur treni ka nisur udhëtimin nga Athina, ka pasur 430 persona, por 80 prej tyre kanë zbritur në Larisa, ndërsa pjesa tjetër ka vazhduar rrugën deri në përplasjen e rëndë të dy trenave pranë qytetit Tempe.

Sakaq, autoritetet greke kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, ndërsa po punohet për nxjerrjen e pasagjerëve të tjerë të ngecur në tren.

Përpjekjet e zjarrfikësve janë fokusuar aktualisht në dy vagonët e parë të trenit të pasagjerëve të cilët janë përmbysur dhe ku nxjerrja është edhe më e vështirë.

Funksionimi i zjarrfikësve në vagonët e veçantë bëhet me ndihmën e 4 mjeteve speciale me vinç që do të heqin telat.  Të plagosurit janë dërguar në disa spitale, në spitalin Universitar, Spitalin e Përgjithshëm dhe Spitalin Ushtarak të Larisës, si dhe në Spitalin Ushtarak të Athinës.

 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme