Plani europian i rritjes, udhëheqësit e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe eurokomisionerja Kos mblidhen në Shkup

Udhëheqësit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor ndodhen në Shkup të Maqedonisë së Veriut ku sëbashku me komisioneren europiane për Zgjerim, Marta Kos do të diskutojnë për përpjekjet që duhen ndërmarrë për të përshpejtuar zbatimin e planit europian të rritjes për rajonin.
Bisedimet që do të vijojnë për dy ditë, do të nisin me një takim që kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski do të mbajë me eurkomisioneren Kos, për t’u takuar më pas me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe udhëheqësit e Bosnjës dhe Herzeogvinës, Kosovës, Serbisë dhe Malit të Zi.
Të martën ndërkohë do të mbahen dy panele, i pari prej të cilëve do t’i dedikohet planit europian të rritjes për Ballkanin Perëndimor, ndërsa paneli i dytë do t’i dedikohet mekanizmave specifikë dhe mbështetjes për zbatimin e këtij plani.
Plani Europian i Rritjes për Ballkanin Perëndimor synon nxitjen e rritjes ekonomike në rajon dhe të ndihmojë vendet ballkanike në rrugëtimin e tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Ky plan parashikon fonde me vlerën e gjashtë miliardë eurove për reforma dhe investime në sektorë kyç si energjia, transporti apo edhe transformimi digjital, që iu jepen gjashte vendeve të Ballkanit Perëndimor në formë grantesh dhe huash të buta.
Gazetare: Elda Pepa
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




