“Plumbi i artë”, Gjykata vendos “të mbyllë dyert” gjatë dëshmisë së Nuredin Dumanit

Aktualitet | 2 vite më parë

Dëshmitë e Nuredin Dumanit, të penduarit të drejtësisë për krimet ku a ai ka marrë pjesë do të bëhen me dyer të mbyllura.

Kështu vendosi Gjykata e Posaçme pas kërkesës së prokurores së SPAK, Doloreza Musabelliu e cila në seancën e kësaj të marte kërkoi seancë me dyer të mbyllura me argumentin se mund të dalin të dhëna për persona që janë ende në hetim, por edhe për ruajtjen e sigurisë së bashkëpunëtorëve në këtë dosje.

Kjo solli tensione në gjykatë mes të akuzuarve të Nuredin Dumanit në dosjen “Plumbi i artë” dhe prokurores.

Avokatët mbrojtës të tyre kërkuan seancë me dyer të hapura. “Pavarësisht se në seancën e parë nuk ishte kjo kërkesë, duket e çuditshme pse prokuroria ka kërkuar një gjë të tillë. Sipas ligjit, kur dosja kalon për gjykim, nuk ka me sekret hetimor” thanë ata.

I pandehuri Petrit Qoli që Nuredin Dumani ka deklaruar se e ka paguar për dy vrasje bëri të njëjtën kërkesë. “Kam 1 vit e gjysmë në burg dhe dua që fjala ime të jetë transparente dhe të bëhet me dyer të hapura”.

I akuzuari tjetër Adrian Uzuni tha se media duhej në sallë. “Unë jam baba i 3 kalamajve dhe media çfarë nuk ka shkruajtur për mua duke marrë për bazë fjalët e një mashtruesi. Unë dua që media të jetë në sallë dhe të dëgjojë. Dua vetëm drejtësi”.

Pasi dëgjoi palët, GJKKO u tërhoq për të marrë vendim në lidhje me kërkesat. Në fund Gjykata vendosi që shqyrtimi të bëhet me dyer të mbyllura, derisa të dëshmojnë tre bashkëpunëtorët e drejtësisë. Pas këtij vendimi të pandehurit dhe avokatët e tyre braktisën seancën.

Gazetar: Kreshnik Mersinllari

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme