Pr.buxheti 2026, Malaj: Mbi 886 miliardë lekë. Rritje pagash e pensionesh nga 1 janari, ja sa shkojnë deri në fund të mandatit
Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka prezantuar projektbuxhetin për vitin 2026 në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, duke theksuar se në këtë buxhet janë marrë parasysh të gjitha objektivat e qeverisë dhe proceset integruese të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Ministri bëri të ditur se projektbuxheti bazohet në katër shtylla kryesore: rritjen ekonomike, konsolidimin fiskal, mirëqenien sociale dhe anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Një nga gurët e themelit të këtij buxheti është reforma e pensioneve. Malaj njoftoi se nga 1 janari 2026 do të nisë zbatimi i garantimit të një pensioni të drejtë, ku përveç indeksimit vjetor do të aplikohet edhe një rritje mujore graduale e pensioneve.
Sipas parashikimeve:
Pensioni urban do të arrijë në 40 mijë lekë,
Pensioni urban i pjesshëm në 22 mijë lekë,
Pensioni rural në 14.8 mijë lekë,
Pensioni familjar në 18 mijë lekë,
Pensioni i invaliditetit në 30 mijë lekë.
“Një nga gurët e themelit të tij është reforma e pensioneve. Nga 1 janari 2026 përveç indeksimit vjetor, do të zbatohet edhe një rritje mujore e pensioneve, me synimin që pensioni urban të arrijë në 40 mijë lekë, pensioni urban i pjesshëm në 22 mijë lekë, pensioni rural në 14.8 mijë lekë, pensioni familjar në 18 mijë lekë, dhe pensioni i invaliditetit në 30 mijë lekë. Kjo rritje, e buxhetuar për tre vitet e ardhshme, nuk është vetëm një masë sociale, por vjen në kuadër të konsolidimit ekonomik”, tha Malaj.
Një tjetër element i rëndësishëm i projektbuxhetit, tha Malaj, është rritja e pagave. Nga 1 janari 2026, paga minimale do të jetë 50 mijë lekë, do të shkojë në 60 mijë lekë në vitin 2028, dhe 70 mijë lekë në fund të mandatit qeverisës. Përveç kësaj, parashikohet indeksim i pagave një herë në dy vite, si dhe paga më të larta për sektorët e mbështetur dhe kategori të tjera të administratës.
“Gjithashtu, nga 1 janari 2026 do të rritet paga minimale, e cila do të jetë 50 mijë lekë, do të shkojë në 60 mijë lekë në vitin 2028 dhe 70 mijë lekë në përfundim të mandatit, me qëllim garantimin e dinjitetit të punonjësve dhe afrimin me standardet e rajonit. Indeksimi i pagave do të bëhet një herë në dy vite, ndërsa sektorët e mbështetur dhe kategori të tjera do të përfitojnë paga më të larta. Kostoja totale e rritjes së pagës minimale dhe e indeksimit llogaritet në 10 miliardë lekë, duke ndikuar mbi 144 mijë punonjës të nivelit qendror dhe vendor”, tha Malaj.
Sipas Malajt, projektbuxheti 2026 reflekton prioritetet kryesore të qeverisë për financa publike të qëndrueshme, zhvillim të ekonomisë dhe angazhim të përhershëm për rritjen e mirëqenies së qytetarëve.
“Ky projektbuxhet është hap para në programin e qeverisë, që synon 886.7 miliardë lekë, fokusi do të jetë te mirëqenia sociale, te ndihmë e investimeve për një infrastrukturë më moderne, te përsosja e sistemeve digjitale, te zhvillimi i energjisë së gjelbër, si dhe te zhvillimi i kapitalit njerëzor. Ky projektbuxhet nuk është thjesht një listë shpenzimesh, por një kontratë e qeverisë me qytetarët për të mbajtur nën kontroll financat publike dhe për të garantuar rritje të qëndrueshme,” deklaroi Malaj.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




