Pr.buxheti i 2026 “përplas” PD-PS. Tabaku: S’ka diskutime pa paketën fiskale, shkelet ligji. Balla: Nuk ndikon, jemi në limit të afateve
Ka nisur me diskutime e debate mbledhja e Konferencës së Kryetarëve ku do të prezantohet projekt buxheti i vitit 2026.
Në fjalën e saj, deputetja demokrate Jorida Tabaku deklaroi se nuk mund të zhvillohen diskutimet mbi projektbuxhetin e vitit 2026 i cili supozon efekte financiare që vijnë nga paketa fiskale, pa pasur paketën fiskale .
“Nuk mund të zhvillojmë diskutime për pr.buxhetin pa paketën fiskale. Nuk është vetëm çështje rregullore, por edhe e qeverisjes së mirë dhe transparencës ndaj qytetarëve.
S’mund të diskutojmë një pr.buxhet i cili supozon efekte financiare që vijnë nga paketa fiskale që nuk është këtu.
Impakti i paketës fiskale, përcakton kuadrin makro, treguesit që reflektohen në buxhet”, deklaroi Tabaku.
Nga ana e tij, kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla theksoi se paketa fiskale nuk ka ndikim në projekt buxhetin e vitit 2026.
Ai deklaroi se opozita është e shqetësuar për faktin se projekt buxheti i 2026-ës ësjhtë më i madhi në historinë e vendit.
“Rregullorja e Kuvendit nuk lexohet si na teket ne. Ne jemi të njoftuar nga kryetari i kuvendit sipas rregullave për të dëgjuar nga ministri paraqitjen e pr.buxhetit. Kur të na njoftojë kryeparlamentari për pr.ligje të mbërritura në kuvend financiar do mblidhemi prapë.
Ceremonialiteti i kësaj mbledhje, e do që pa humbur kohë të dëgjojmë ministrin e financave për prezantimin e pr.buxhetit. Qeveria mund të vendosë të mos i sjellë fare ligjet financiare, paketë fiskale, dhe ministri e njoftoi që paketa fiskale s’do ketë ndikim në buxhet.
Ose jeni shqetësuar që ky është buxheti më i madh në historinë vendit dhe s’doni ta dëgjoni, 8.8 miliardë”, tha Balla.
Ky i fundit shtoi se, kjo është nga të paktat raste ku procedura parlamentare është e reflektuar dhe te ligji i buxhetit për afatet kur duhet të vijnë në kuvend. Ai theksoi se Kuvendi është në tejkalim të kohës për të nisur menjëherë shqyrtimin e buxhetit.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, tha se është në shkelje të ligjit miratimi i një kalendari të veçantë që përfshin vetëm projektligjin e buxhetit dhe jo paketën fiskale që e shoqëron atë.
“Kalendari i posaçëm që miratojmë sot nuk duhet të përfshijë vetëm shqyrtimin e projektligjit të buxhetit, pasi rregullorja flet për një kalendar të veçantë për buxhetin dhe paketën fiskale që e shoqëron. Ne sot jemi ftuar të miratojmë një kalendar që përfshin vetëm projektligjin për buxhetin, por ligji kërkon që të jenë së bashku buxheti dhe paketa fiskale,” tha Bardhi.
Ai shtoi se respektoni Kushtetutën dhe ligjin është detyrim, ndërsa propozoi që, nëse është e nevojshme, kalendari të ngushtohet për të përmbushur afatet ligjore brenda vitit, por pa ndarë dy projektligjet.
“Nëse duhet edhe një javë më shumë, mund të ngushtohet kalendari që të arrihet miratimi brenda këtij viti, por buxheti dhe paketa fiskale duhet të vijnë bashkë,” u shpreh Bardhi.
Ministri i Financave, Petrit Malaj deklaroi se paketa fiskale është në konsultim me grupet e interesit dhe faktorin ndërkombëtar, ndërsa shtoi se kjo paketë do të shkojë në Kuvend javën e ardhshme.
“Për sa i përket çështjes së paketës fiskale ajo është aktualisht në konsultim me grupet e interesit dhe kryesisht me faktorin ndërkombëtar duke qenë se jemi duke bërë dhe një përafrim të legjislacionit tonë tatimor dhe doganor me direktiva e bashkimit Evropian dhe në këto kushte jemi të detyruar që këtë paketë fiskale ta konsultojmë edhe me ta para se ta sjellim në parlament për miratim. Paketë e cila do të vij gjatë javës së ardhshme këtu për tu diskutuar. Nuk presim ndryshime në paketën fiskale por për procedurë duhet t’jua përcjellim edhe atyre në mënyrë që të marrim një dritë jeshile për ndryshimet që kemi propozuar”, tha ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




