Programi ekonomik i PD, Teliti: Fitojmë betejën për varfërinë e skajshme, besimin e qytetarëve

Politikë | 2 vite më parë

Koordinatori i programit ekonomik në Partinë Demokratike, Dorian Teliti, i ftuar në studion e RTSH 24 prezantoi paketën ekonomike të opozitës, e cila ka për qëllim, sipas tij, përmirësimin e klimës së bizneësit dhe luftën kundër varfërisë në Shqipëri.

Në fjalën e tij, Teliti theksoi rëndësinë e krijimit të mundësive për rritje ekonomike dhe zhvillim të qëndrueshëm.

Paketa 100 ditore, sipas tij, përfshin masa për të lehtësuar regjistrimin dhe zhvillimin e bizneseve, si dhe mbështetje për sektorët prioritarë, duke synuar uljen e varfërisë ekstreme dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për qytetarët. Teliti theksoi gjithashtu rëndësinë e krijimit të mundësive për rinovimin e industrive dhe nxitjen e investimeve të huaja në Shqipëri.

Për më tepër, ai kërkoi vendosjen e një minimumi jetik për t’iu përgjigjur varfërisë dhe për të siguruar një mbështetje më të madhe për ata që përballen me kushte të vështira ekonomike. Në përfundim, Teliti bëri thirrje për një angazhim të përbashkët nga të gjitha partitë politike dhe institucionet për të ndihmuar në reduktimin e varfërisë dhe krijimin e mundësive të reja për zhvillim ekonomik.

“Paketa afatmesme afatgjatë e cila zgjat deri në fund të mandatit të parë dhe ka të bëjë me një sërë masash për të lehtësuar të bërit biznes në Shqipëri.

Shqipëria është renditur e fundit në rajon për klimën e të bërit biznes, për nivelin e lartë të taksave është e para në rajon, për nivelin më të lartë të korrupsionit e para në rajon. Ne duam që të rikthejmë në një normalitet të gjithë ecurinë e ekonomisë shqiptare he duke vënë fokus në sektorët prioritarë.

Paketa 100 ditore ka në fokus luftën ndaj varfërisë. Sipas EUROSTAT ne sot kemi 46% të shqiptarëve që jetojnë në varfëri. Sipas UNICEF ne kemi 47% të fëmijëve në kequshqyerje.

Kemi të dhëna që tregojnë se rinia po largohet, familja po shpërbëhet nga ana numerike. Kjo vjen edhe prej nivelit të lartë të varfërisë. Kemi propozuar vendosjen e minimumit jetik në 100 ditët e para në masën 200 euro e cila nuk zgjidh problematikën e varfërisë, por adreson varfërinë e skajshme ekstreme.

A do ketë varfëri në Shqipëri? Patjetër si kudo. Por jo varfëri të skajshme. Beteja për  varfërinë e skajshme do e fitojmë”, deklaroi Teliti.

Ky i fundit deklaroi se PD ka një ofertë të qartë dhe konkrete për të ardhmen e Shqipërisë, duke theksuar se kjo ofertë është e munguar nga partitë e tjera politike. Sipas Telitit, programi i PD-së është një plan politik për katër vitet e ardhshme dhe jo një program elektoral me qëllime afatshkurtra.

“PD është një parti e madhe, e drejtuar nga një ambicie për të marrë besimin e të gjithë shtresave të shoqërisë shqiptare. Thelbi i partisë është mbështetja për shtresat e pronarëve, sipërmarrësit, dhe ish-të përndjekurit politik. Ne i drejtohemi të gjithëve, sepse besimi i qytetarëve është kyç për të ardhur në qeverisje“, tha Teliti.

Ai theksoi se PD ka njohur gabimet e saj të kaluar, por po ashtu theksoi se arritjet që kanë realizuar kanë qenë më të mëdha se gabimet.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme