Progres raporti/ KE: Shqipëria, përparim në negociatat e anëtarësimit. Në një linjë me ne për politikën e jashtme dhe sigurinë

Komisioni Evropian ka publikuar progres raportin për Shqipërinë për vitin 2025 ku vlerëson progresin e bërë në procesin e anëtarësimit, në një kohë që vendi ynë ka hapur pesë grupe negociuese dhe po përgatitet për hapjen e grupit të gjashtë.
Raporti nënvizon se procesi i “screening”, i cili përfundoi në mars 2025, është bërë në përputhjen me legjislacionin e BE-së duke i hapur rrugë fazës së re të negociatave.
Po ashtu, në progres raport theksohet gjithashtu se Shqipëria ka vijuar zbatimin e detyrimeve nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, ndërsa dialogu politik dhe ekonomik me BE-në është zhvilluar rregullisht përmes strukturave të përbashkëta.
Shqipëria ka arritur përparim të mirë në përputhshmërinë me standardet e Bashkimit Evropian në fushën e drejtësisë, lirisë dhe sigurisë, sipas Raportit të Progresit të BE-së për vendin. Raporti vë në dukje se SPAK ka përmirësuar kapacitetin e saj për të goditur grupet kriminale dhe hetimet financiare po përdoren më mirë.
Megjithatë, KE vlerëson se Shqipëria duhet të forcojë më tej përdorimin sistematik të hetimeve financiare, funksionimin e observatorit kombëtar për drogën dhe sistemin e paralajmërimit të hershëm për substancat e reja psikoaktive, si dhe qasjen në procedurat e azilit dhe harmonizimin e politikës së vizave me BE-në.
Lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar
Raporti thekson edhe nevojën për përparim në luftën kundër krimit të organizuar, përfshirë trafikun e drogës, pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit, si dhe forcimin e kapaciteteve të Policisë së Shtetit për rikuperimin e pasurive kriminale. Bashkëpunimi me vendet e BE-së dhe agjencitë e tyre është vlerësuar si një hap pozitiv.
“Shqipëria është mesatarisht e përgatitur në luftën kundër krimit të organizuar. Është bërë përparim i mirë në përmbushjen e rekomandimeve të vitit të kaluar duke rritur kapacitetin e SPAK për hetime financiare, forcuar luftën kundër pastrimit të parave dhe sekuestrimin e pasurive të lidhura me krimin e organizuar. SPAK ka konsoliduar më tej bashkëpunimin me homologët ndërkombëtarë, veçanërisht me shtetet anëtare të BE-së dhe agjencitë e BE-së, për të hetuar dhe goditur grupet kriminale me rrezik të lartë, me rezultate të dukshme fillestare. Shqipëria duhet të përshpejtojë punën për të harmonizuar kuadrin ligjor për krimin e organizuar me acquis-n e BE-së, të forcojë kapacitetet e zbatimit të ligjit dhe të përmirësojë efikasitetin e hetimeve, përfshirë përmes zhvillimit të kapaciteteve të analizës kriminale dhe financiare”, thuhet në raport.
Politika e Jashtme, siguria dhe mbrojtja
KE-ja vlerëson linjën e ndjekur nga Shqipëria në politikën e jashtme dhe të sigurisë, si në përputhje të plotë me unionin, duke marrë pjesë aktive në misionet e BE-së në Ballkan dhe në operacionet detare.
Gjatë vitit 2025, sipas progress raportit të BE-së, Shqipëria ka forcuar gjithashtu bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
“Korniza institucionale që mundëson pjesëmarrjen e Shqipërisë në politikën e përbashkët të jashtme dhe të Sigurisë të BE-së (CFSP) është funksionale. Shqipëria ka ruajtur përputhje të plotë me deklaratat e Përfaqësuesit të Lartë në emër të BE-së dhe me vendimet e Këshillit për sanksionet, përfshirë të gjitha masat kufizuese ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë në lidhje me agresionin rus kundër Ukrainës. Në shkurt 2025, Shqipëria votoi në favor të rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së “Për një paqe gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë”, me rastin e trevjetorit të pushtimit të plotë rus.
Shqipëria ka vendosur dispozita ligjore dhe institucionale për zbatimin e masave kufizuese të BE-së, megjithatë kapacitetet teknike për zbatimin dhe mbikëqyrjen e tyre duhet të forcohen më tej.
Një Partneritet për Siguri dhe Mbrojtje u nënshkrua në dhjetor 2024, ndërsa në prill 2025 u mbajt në Tiranë dialogu i parë zyrtar në këtë fushë. Vendit i janë akorduar 28 milionë euro në mbështetje për Forcat e Armatosura nëpërmjet Instrumentit Evropian për Paqe“, thuhet në raport.
Shqipëria avancon drejt transformimit digjital, por sfidat mbeten
Shqipëria ka arritur një nivel të moderuar deri të mirë përgatitjeje në fushën e transformimit digjital dhe mediave, sipas raportit më të fundit të Progresit të Komisionit Evropian për vitin 2025.
Raporti tregon se, ndërsa Shqipëria ka bërë hapa përpara në fushën digjitale, sfidat mbeten të mëdha për të përmbushur plotësisht standardet e BE-së.
“Ligji aktual për sigurinë kibernetike ka mundësuar përputhje më të madhe me Direktivat e BE-së për nivel të lartë të sigurisë kibernetike (NIS 2). Në qershor 2025, Shqipëria miratoi një listë të përditësuar të Operatorëve të Infrastruktures Kritike dhe të Rëndësishme të Informacionit. Po ashtu, është miratuar Strategjia e re Kombëtare për Sigurinë Kibernetike 2025-2030 dhe Plani i Veprimit për vitet 2025-2027. Rekomandimet e Komisionit nga viti i kaluar u zbatuan pjesërisht dhe mbeten kryesisht të vlefshme. Për vitin e ardhshëm, Shqipëria duhet, veçanërisht:
-të miratojë vendimin për zgjerimin e numrit emergjent 112 në të gjithë vendin;
-të finalizojë legjislacionin zbatuese për Ligjin mbi komunikimet elektronike dhe Ligjin për kibernetikën;
-të përmirësojë qasjen në përdorimin e shërbimeve elektronike, të ndërtojë këtë kapacitet dhe të rrisë mbledhjen e të dhënave statistikore mbi performancën digjitale dhe konkurrueshmërinë digjitale sipas Indeksit të Ekonomisë dhe Shoqërisë Digjitale”, thuhet në raport.
Shqipëria përparon në energji, Raporti: T’i bashkohet tregut të përditshëm të energjisë të BE-së deri në qershor 2026
Raporti vlerëson Shqipërinë se ka bërë hapa të dukshëm përpara në sektorin e energjisë dhe rekomandohet që ajo të synojë të bashkohet me tregun e përditshëm të energjisë të BE-së deri në qershor 2026.
“Shqipëria ka arritur një nivel të mirë përgatitjeje në fushën e energjisë, duke bërë progres të dukshëm sidomos në tregun e brendshëm të energjisë elektrike, sipas raportit më të fundit të Progresit të Bashkimit Evropian për vitin 2025. Megjithatë, vendi ende ka sfida për të përmbushur plotësisht standardet evropiane në mjedis dhe rrjetet trans-evropiane. Theksohet nevoja për përshpejtimin e miratimit të Planit Kombëtar të Energjisë dhe Klimës 2021-2030, në përputhje me objektivat e Bashkimit të Energjisë për 2030. Shqipëria duhet të forcojë kapacitetet e Agjencisë për Efiçencën e Energjisë dhe të vijojë zbatimin e Paketës për Integrimin e Elektricitetit, duke synuar të bashkohet me tregun e përditshëm të energjisë të BE-së deri në qershor 2026”, thuhet në raport.
Raporti i KE-së thekson se energjia mbetet një pikë e fortë, por vendi duhet të përqendrohet në implementimin e plotë të politikave klimatike dhe në forcimin e infrastrukturës për një zhvillim më të qëndrueshëm.
Në fushën e ndryshimeve klimatike, raporti vëren se vendi nuk ka bërë përparim të dukshëm. Ligji i ri “paketa malore”, i miratuar në mars 2025, synon të nxisë investime në pyje dhe kullota, por nevojiten masa të tjera për të përforcuar mbrojtjen e mjedisit dhe zbatimin e politikave klimatike.
“Për vitin e ardhshëm, Shqipëria duhet të përqendrohet në: Zbatimin dhe përputhshmërinë e plotë me Direktivat për Vlerësimin e Ndikimit Mjedisor dhe Vlerësimin Strategjik Mjedisor; Luftimin e krimit mjedisor dhe forcimin e zbatimit të ligjit për mbrojtjen e natyrës dhe biodiversitetit; Përditësimin dhe zbatimin e Planit Kombëtar të Adaptimit, miratimin e Planit Kombëtar të Energjisë dhe Klimës 2021-2030 dhe harmonizimin me sistemet e tregtisë së emetimeve të BE-së”, thuhet në raport.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




