Propozohet falja e borxheve mbi 10-vjeçare për familjet dhe bizneset, Demo: Akt Normativ në dhjetor për dëmet nga përmbytjet

Aktualitet | 11 muaj më parë

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, ka prezantuar sot në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave Buxhetin Vendor për vitin 2026, i cili kap shifrën rekord prej mbi 1.2 miliardë eurosh.

Gjatë prezantimit, Ministri Demo hodhi në tryezë një propozim të rëndësishëm që synon të lehtësojë barrën financiare për mijëra familje dhe biznese: faljen e të gjitha detyrimeve vendore të prapambetura që janë më të vjetra se 10 vjet.

“Në komisionin për Ekonominë dhe Financat për të prezantuar buxhetin vendor, i cili i kalon 1.2 miliardë euro, për vitin 2026. Në kuadër të mbështetjes për pushtetin vendor, propozova gjithashtu faljen e të gjitha detyrimeve më shumë se 10-vjeçare nga familjarët dhe bizneset.”, shkruan ministri Demo në rrjetet sociale.

Amnistia për borxhet e para-reformës

Sipas propozimit, vlera totale e detyrimeve që pritet të shuhen arrin në 1.5 miliardë lekë. Demo shpjegoi se kjo shumë përkon kryesisht me borxhet e trashëguara dhe të mbartura nga ish-komunat dhe bashkitë e vjetra, përpara se të implementohej Reforma Administrativo-Territoriale e vitit 2015.

“Në kuadër të mbështetjes për pushtetin vendor dhe qytetarët, propozojmë zerimin e detyrimeve më shumë se 10-vjeçare, një barrë e trashëguar që nuk reflekton realitetin e sotëm administrativ,” u shpreh ai.

Dëmshpërblimet për përmbytjet në dhjetor

Përveç buxhetit të vitit të ardhshëm, vëmendje mori edhe situata aktuale e krijuar nga reshjet intensive. Ministri konfirmoi se qeveria do të ndërhyjë financiarisht brenda këtij viti.

“Po presim që bashkitë të finalizojnë evidentimin e dëmeve dhe do të bëjmë të mundur që këto dëme të përfshihen në aktin normativ të dhjetorit për dëmshpërblimin e banorëve dhe fermerëve,” deklaroi Demo.

Ai pranoi se situata në disa zona është problematike, me dëme në bujqësi, blegtori dhe banesa, dhe se verifikimi në terren po vijon intensivisht nga strukturat vendore dhe qendrore.

Formula e re për Emergjencat në 2026

Një tjetër risi e prezantuar ishte ndryshimi rrënjësor i mënyrës se si do të shpërndahen fondet e emergjencave civile duke nisur nga viti 2026. Ministri theksoi se formula e vjetër (bazuar në sipërfaqe dhe popullsi) ka dështuar të mbrojë bashkitë e vogla, të cilat shpesh kanë ekspozim më të lartë ndaj rreziqeve klimatike por buxhete më të ulëta.

“Jemi angazhuar që buxheti për emergjencat të shpërndahet sipas nivelit të rrezikut që paraqesin bashkitë dhe jo vetëm sipas madhësisë,” përfundoi Demo.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme