Protesta të dhunshme në Iran. Trump: Ndaloni vrasjet, jemi të armatosur dhe gati për të filluar

Botë | 10 muaj më parë

Për të pestën ditë radhazi, protesta masive kanë shpërthyer në Iran kundër regjimit autoritar, mes një krize të thellë ekonomike që po godet vendin. Turma njerëzish kanë dalë në rrugë në disa qytete, ndërsa dëshmitarë raportojnë prani të shtuar të forcave të sigurisë. Shteti është përpjekur të shtypë demonstratat, veçanërisht në zonat rurale, ku përleshjet kanë qenë më të ashpra.

Deri tani raportohet për të paktën shtatë viktima gjatë protestave. Protesta dhe përleshje janë shënuar edhe në provincat Fars, Kermanshah dhe Chahar Mahal, ku qytetarët u përballën me njësi paraushtarake dhe mjete të blinduara. Demonstratat nisën pas rënies së fortë të monedhës, fillimisht nga tregtarët në Teheran dhe më pas u përhapën në të gjithë vendin, të mbështetura edhe nga studentët. Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump tha se Shtetet e Bashkuara do të ndërhyjnë nëse Irani qëllon dhe vret protestuesit që demonstrojnë kundër përkeqësimit të kushteve ekonomike në vend.

“Nëse Irani qëllon dhe vret me dhunë protestuesit paqësorë, gjë që është zakon i tyre, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’i ndihmojnë. Jemi të armatosur dhe gati për të filluar. Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje! President DONALD J.TRUMP”, tha ai.

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme