Rama: Kushtetuesja t’i qëndrojë besnike vendimit për Veliajn, t’i japë mundësinë të ushtrojë detyrën. Tirana ka nevojë për drejtues!
Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga drejtuesja politike e Qarkut Tiranë, Ogerta Manastirliu, zhvilloi një dëgjesë publike në Njësinë nr. 5 për buxhetin e qytetarëve.
Në këtë takim, Rama komentoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese për rikthimin e Erion Veliajt në krye të Bashkisë së Tiranës.
Rama e cilësoi situatën si paradoksale, duke thënë se kryebashkiaku ndodhet në burg pa gjyq.
“Kryetarin e Bashkisë së Tiranës e kemi në burg pa gjyq, jemi në një paradoks të madh. Kur kryetari u mor dhe u tërhoq nga zyra për t’u futur në qeli si i paraburgosur, gjë që ndodh vetëm për njerëzit shumë të rrezikshëm, e kam thënë që është disproporcionale. Çdo njeri në Shqipëri dhe botën demokratike, deri kur gjykata e nxjerr fajtor është i pafajshëm. Nuk diskutohet që njeriun e merr, e fut brenda dhe lëshohen hijena dhe kllounat e ciklit politik dhe mediatik, vjen njëherë dënimi publik më pas pjesa tjetër” u shpreh ai.
Kryeministri theksoi se Tirana ka nevojë për drejtim dhe se vendimi i Kushtetueses duhet të respektohet.
“Gjykata Kushtetuese ka thënë që kryetari i Bashkisë është në pamundësi për të ushtruar detyrën, por nuk mund të bëhen zgjedhje sepse ai është kryetar. Jepini mundësinë të ushtrojë detyrën,” tha Rama.
Ai shtoi se deri në zgjidhjen përfundimtare, qeveria do të mbështesë bashkinë për të garantuar funksionimin normal të qytetit dhe realizimin e buxhetit.
“Ne menduam që Tirana nuk ka arsye të paguaj për një kohë të gjatë mungesën e drejtimit. Po bëjnë maksimumin ata që po drejtojnë punët, por nuk është e njëjta gjë. Dhe për këtë arsye ne menduam, në respekt të plotë të ligjit, sepse ligji, Kushtetuta më saktë, thotë dy gjëra të ndryshme: tjetër për deputetin dhe tjetër për të zgjedhurin lokal. Për deputetin thotë që kur mungon pa arsye, për të zgjedhurin lokal nuk e thotë fare.”deklaroi Kryeministri.
Në përfundim, Rama theksoi se vendimi i Kushtetueses është i kundërt me gjykimin e mazhorancës, por se duhet respektuar si një interpretim ligjor i arsyeshëm.
Ai shpresoi që gjykata të qëndrojë konsistente me vendimet e saj dhe t’i japë Veliajt mundësinë të ushtrojë detyrën e kryebashkiakut.
“Gjykata Kushtetuese doli me një vendim tjetër nga ai i yni, nuk kam asnjë arsye të dyshoj se e kanë parë nga një këndvështrim i arsyeshëm, pavarësisht se është i kundërt me gjykimin tonë. Mirëpo tani duhet të zgjedhin, sepse kanë thënë që kryetari i Bashkisë është në pamundësi për të ushtruar detyrën, por nuk mund të bëhen zgjedhje sepse ai është kryetar bashkie. Ok, jepjani mundësinë të ushtrojë detyrën. Kur të vijë aty që të kërkojë të lirohet për të vazhduar detyrën, shpresoj që Gjykata Kushtetuese t’i rrijë besnike vetes së vet dhe t’i japë mundësinë që të vazhdojë detyrën. Por deri atëherë ne jemi këtu dhe qyteti duhet të pastrohet normalisht, qyteti të funksionojë normalisht, buxheti të jetë në dispozicion. Për këtë arsye ne po mbështesim bashkinë që të bëjë më të mirën për buxhetin. Ndaj menduam me Ogertën si drejtuesen politike të qarkut, por edhe si deputete e Tiranës, që të vazhdojmë të komunikojmë me këto dëgjesa.”-tha Rama
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



