Rama në Berat: Vetëm me gratë e mundim “kënetën”, jemi krenarë që kemi 71 gra dhe vajza në skuadrën e 11 majit

Zgjedhje 2025 | 2 vite më parë

Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me gratë dhe vajzat e Beratit, në kuadër të fushatës elektorale të 11 majit 2025, deklaroi se “ato janë një forcë transformuese jo vetëm për PS-së, por edhe për Shqipërinë”.

Rama, në fjalën e tij, e vuri theksin tek rëndësia që kanë gratë dhe vajzat jo vetëm në parti, por edhe në qeverisje, duke dhënë edhe shifra për trefishimin e rolit të tyre, që nga koha kur PS-ja erdhi në qeveri.

Ai tha se gjysma e kandidateve në listën e mbyllur janë gra, dhe 71 kandidate janë në listën e hapur.

“Për zgjedhjet e 11 majit, PS ka në përbërje 71 gra dhe vajza, teksa në listat e mbyllura 52% e kandidatëve janë gra dhe vajza”, u shpreh Rama.

“Dikush thoshte sot: çfarë bëhet kështu? Vetëm me gratë po e mund Edi Rama kënetën. Kaq shumë sa jeni sot në këtë shesh jemi për të dëshmuar jo thjeshtë mbështetjen, por edhe përkushtimin tuaj në këtë betejë historike. “Bufi i kënetës” nuk i mbledh dot kaq burra e gra në të gjithë Qarkun e Beratit. Ky është transformimi që e kemi bërë të mundur së bashku. Jo thjeshtë raport gjinor, por transformimi i Shqipërisë me përfshirjen masive të grave dhe vajzave në vendimmarrje. Duhet të ecim me të njëjtën vendosmëri, derisa në PS të kemi 50% gra dhe vajzave. Çfarë ndodh brenda nesh? Ajo çfarë ne arrijmë në këtë familje politike reflektohet edhe se çfarë bëjmë në qeverisjen vendore. Kemi kthyer në ligje ato që në familjen tonë i kemi bërë rregulla. Prandaj sot në parlament ka më shumë gra dhe vajza se sa kur morëm detyrën.”, tha Rama.

Duke sjell në vëmendje takimin e një ditë më parë të PD-së në Korçë, Rama tha se “ Shqipëria nuk mund të jetë peng i partisë së Ilir Vrenozit”.

Ajo që ka shumë rëndësi për ne gjithë së bashku, tha Rama, “është që duhet të kuptojmë deri në fund thelbin e 11 majit”.

“Fal punës që kemi bërë me Ervin Demon dhe me kryetarët e tjerë në Qarkun e Beratit, kemi një qark krejtësisht të transformuar. Berati i 1 milion turistëve ishte diçka e paimagjinueshme sepse për të ardhur në Berat nuk kishte rrugë.  Ju e dini shumë mirë se sa pak dyer të hapura kishte për të qëndruar  një natë në Berat. Ndërkohë sot po hapen çdo ditë dyer të reja dhe po ndryshon ekonomia vendore. Kjo sepse të gjitha ato rrënoja të deri djeshme po kthehen në burim ekonomik.”, theksoi Rama.

Programi social i PS

Gjatë mandatit të katërt, kryeministri, njëkohësisht edhe kryetar i PS-së, tha se do të dyfishohet mbështetja për nënat e fëmijëve me aftësi speciale

“Kur morën detyrën kishim një Shqipëri me prodhim të përgjithshëm më pak se 10 miliardë euro. Vitin 2024 e mbyllëm me 24 miliardë euro. Kemi të gjitha arsyet që në Shqipërinë e 2030 prodhimi e përgjithshëm ta kemi 33 miliardë euro. Kur morëm detyrën kishim një pagë mesatare në sektorin publik 370 euro dhe e mbyllëm vitin 2024, 1 mijë euro pagën mesatare. Të ardhurat për frymë ishin 3 mijë euro a diçka më shumë, sot janë 10400 euro. Bonusin e bebes do ta transformojmë. Nga një çek, në një mbështetje financiare të përmuajshme 2, 3 dhe 5 vjet, sipas numrit të fëmijëve. Mbështetje me pagesën e sigurimeve për nënat kryefamiljare me 3 apo më shumë fëmijë, që të mos e humbasin pensionin e tyre pse nuk shkojnë dot në punë, sepse kanë fëmijë për të rritur. Do të dyfishojmë mbështetjen për nënat e fëmijëve me aftësi speciale. Të gjitha këto janë shumë të rëndësishme.”, theksoi kreu i qeverisë gjatë takimit në Berat.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme