Rama në Durrës: Investime për parkime, turizëm elitar dhe politika të reja për strehimin
Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi me Asamblenë e PS-së në Durrës, theksoi nevojën për rritjen e investimeve në qytet, duke u fokusuar veçanërisht te përmirësimi i infrastrukturës dhe zhvillimi i turizmit.
Ai u shpreh se një nga prioritetet kryesore është zgjidhja e problematikës së parkimeve, përmes ndërtimit të strukturave nëntokësore dhe mbi tokësore. Sipas Ramës, Durrësi ka nevojë urgjente për më shumë hapësira parkimi, ndërsa paralelisht do të vijojnë edhe investime të tjera strategjike.
Kryeministri nënvizoi se çështje të rëndësishme si pronësia dhe projekti i portit për marinën janë zgjidhur dhe puna po ecën me ritme të shpejta. Ai shtoi se ky projekt pritet të gjenerojë të ardhura të konsiderueshme për qytetin.
“Ajo që Durrësi ka nevojë është që të ketë më shumë investime, dhe kemi diskutuar për të bërë parkimet nëntokësore ose dhe mbi tokësore sepse ka shumë nevojë për parkime. Do të bëjmë dhe investime të tjera ndërkohë që ato problematika që ishin jo prona, jo porti për marinën u zgjidhën dhe po punohet me ritëm dhe do të jetë një ardhur e madhe për Durrësin, ndërkohë që kemi dhe dy projekte të tjera që janë të mëdha në bregdet që shpresojmë ti materializojmë shpejt në mënyrë që të rritet edhe më shumë atraksioni i Durrësit për botën. Sfida është që të sjellim dhe një kategori tjetër turistësh të cilët shpenzojnë shumë. Dhe për të bërë na duhen strukturat si marina, hotelet”, u shpreh Rama.
Sa i përket strehimit, Rama e cilësoi atë si një nga sfidat më delikate të zhvillimit. Ai tha se vendi ka kaluar nga faza e strehimit social drejt nevojës për politika të strehimit të përballueshëm. Në këtë kuadër, qeveria po riorganizon politikat ekzistuese dhe ka vendosur një taksë prej 3% mbi lejet e ndërtimit, e dedikuar për strehimin.
Gjithashtu, Rama tha se qeveria po punon për lehtësimin e aksesit në banesa për qytetarët që kanë të ardhura, por e kanë të vështirë të blejnë shtëpi. Kjo përfshin garanci bankare nga shteti dhe programe kredie me interes zero për kategori të caktuara si mësuesit, punonjësit e policisë dhe ushtarakët.
Rama theksoi se këto masa do të zgjerohen gjatë këtij viti, duke e konsideruar çështjen e strehimit si një problem real që kërkon zgjidhje të qëndrueshme.
“ Për sa i përket strehimit është një nga pikat më delikate i të gjithë këtij zhvillimi. Si do ti jepet akses më shumë njerëzve që punojnë por që nuk janë të pasur. Jemi në fazën kur nuk kemi problemin e strehimit social por kemi hyr në fazën ku duhet të flasim edhe për strehimin e përballueshëm dhe jemi duke bërë një riorganizim të gjithë procesit, të politikës së strehimit. Kemi vendosur dhe jemi i vend për hir të së vërtetës, një 3% në taks vetëm për strehimin në lejet e ndërtimit dhe Bashkia e Durrësit ka potencialin që të krijoj të ardhura të konsiderueshme. Janë disa formula që do fillojmë të lehtësojmë marrjen e shtëpive nga ata që janë në punë dhe kanë një pagë por që prapë se marrin dot shtëpinë dhe për këtë edhe shteti do të vendosi disa garanci bankare ndërkohë që kemi filluar me kredi me zero interes për mësuesit, për punonjësit e policisë, për ushtarakët kemi filluar një program. Këtë vit do ta zgjerojmë kështu që e kemi filluar këtë proces sepse është realisht problem”, tha ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




