Rama: Unaza e Madhe dhe projektet e reja dëshmi e një Shqipërie tjetër

Politikë | 8 muaj më parë

Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste në Kryesinë e Kuvendit, ku pritet edhe vendimi për kërkesën e SPAK për arrestimin e ish-zv.kryeministres Belinda Balluku, kryeministri Edi Rama foli për projektet infrastrukturore të realizuara dhe ato që janë në proces ndërtimi në vend.

Në fjalën e tij, Rama theksoi se një sërë veprash madhore janë realizuar pas shumë vitesh premtimesh të pa mbajtura, duke përmendur ndërtimin e Unazës së Madhe të Tiranës, që sipas tij u përball me shumë pengesa teknike dhe administrative gjatë realizimit.

“Apo Unaza e Madhe e Tiranës u bë realitet vetëm pasi ju qep ministrja e infrastrukturës, tama duke qëruar oriz si i thonë llafit sepse çdo 100 metra kishte problem. Jo shpronësimi i pa bërë këtu, jo kanali atje, jo kabllot e nëndheshëm të RTSh më tutje, jo kolektor i poshtë, jo lumi, jo ky me legalizim jo ai në proces legalizimi deri sa u krye dhe unaza e madhe e Tiranës. Bulqizë-Martanesh, Maqellare-Peshkopi, ura e madhe e Kukësit, bashke më viaduktet e rrugës së Kombit. Të tëra të mbetura në havanë e premtimeve dhe pritjeve shumë vjeçare u mbyllën dhe ato doli dhe rruga e kombit nga gryka e shishes pa llogaritur të gjithë peripecitë e thjerra të saj”, u shpreh Rama.

Rama tha se aktualisht janë në ndërtim disa projekte të rëndësishme, mes tyre rruga e Ksamilit, zgjerimi i autostradës Tiranë-Durrës, segmenti i parë i bypass-it Tiranë-Vaqarr-Kashar, rruga Ndroq-Plepa, bypass-i i Sarandës dhe rruga e Komanit. Ai shtoi se segmentet e Korridorit Blu nga Balldreni në Milot janë në fazë përgatitore për hapjen e kantiereve.

Sipas kryeministrit, këto projekte janë pjesë e transformimit të infrastrukturës së vendit dhe dëshmi e një “Shqipërie tjetër” nga ajo e viteve të mëparshme.

“Janë aktualisht në ndërtim rruga e Ksamilit, zgjerimi i autostradës Tiranë-Durrës, segmenti i parë i bypass Tiranë-Vaqarr-Kashar, rruga Ndroq- plepa, bypass Sarandës, rruga e Komanit, ndërkohë që segmentet e Korridorit Blu nga Balldren-Miloti etj. janë të tëra përgatitje kantieresh pas procesesh të ndërlikuara teknikash. Nuk i rendita më kot këto sepse janë vepra të një Shqipërie tjetër ndër plotë të tjera që kemi ndërtuar dhe po ndërtojmë.  Një Shqipëri që s’ka asnjë lidhje me Shqipërinë e 700 tenxhereve. I rendita sepse dua ti ftoj të gjithë, ju që jeni këtu dhe ata që na kanë besuar drejtimin e Shqipërisë që t’ja heqim për një çast vendit të gjitha këto arterieje të reja dhe ta marrin edhe një herë me mend rrugën e vjetër”, tha ai.

Në fjalën e tij Rama njoftoi edhe planin për zhvillimin e rrjetit hekurudhor në vend. Ai tha se qeveria ka një plan konkret për ndërtimin e rreth 530 kilometrave hekurudhë sipas standardeve evropiane, të elektrifikuara dhe të integruara me rrjetin evropian.

Kryeministri bëri të ditur se hekurudha Durrës-Tiranë-Rinas është aktualisht në ndërtim dhe do të jetë linja e parë e elektrifikuar në Shqipëri, me 12 stacione përgjatë saj. Sipas tij, kjo linjë pritet të nisë operimet në fillim të vitit të ardhshëm.

“Kemi një plan konkret, për të ndërtuar rreth 530 km hekurudhë sipas standardeve Evropiane. Të elektrifikuar dhe të integruara në rrjetet evropiane, projekte konkrete, procese pune konkrete. Hekurudha Durrës-Tiranë-Rinas aktualisht në ndërtim do të jetë linja e parë e elektrifikuar në vend, me 12 stacione përgjatë saj e cila do të fillojë operimet në fillim të vitit të ardhshëm. Hekurudha Vorë -Hani Hotit është në proces prokurimi, ndërtimi pritet të nis në fund të këtij viti dhe të përfundoj në 2030”, tha Rama.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme