Regjistrimi i votuesve nga jashtë/ Mbi 70 mijë kërkesa, më shumë se 36 % të refuzuara

Aktualitet | 2 vite më parë

Diaspora vijon të regjistrohet për t’u bërë pjesë e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.

Që prej 11 janarit, kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) vendosi në funksion platformën elektronike të regjistrimit (PER), ky numër po kalon 71 mijë kërkesa.

Por gjithashtu janë refuzuar mbi 26 mijë e 065 kërkesa, 36.6 % e tyre.

Sipas të dhënave të shfaqur në kohë reale nga KQZ-ja, në tabelën e statistikave për të dhënat e regjistrimit të votuesve nga jashtë bie në sy se në kategorinë e personave që u është miratuar kërkesa, 3.7 për qind apo mbi 2620 mijë qytetarëve me të drejtë vote u kërkohet një dokument i ri identifikimi.

Në një prononcim ditë më parë, kreu i KQZ-së,  Ilirjan Celibashi, ka bërë me dije se arsyet  e refuzimit mund të jenë nga më të ndryshmet.

Ato fillojnë prej dokumentacionit jo të plotë, aplikimit të kryer në mënyrë të gabuar, apo edhe mungesës së elementeve me rëndësi si një adresë banimi.

Sakaq, sipas gjinisë, në përqindjen më të lartë të regjistruesve janë meshkujt me 44 mijë e 265 (62.2%) kërkesa, ndërsa femrat janë 26 mijë e 956(37.8 %).

Për sa i takon kërkesave për regjistrim sipas grup-moshave, numrin më të lartë të kërkesave e ka grup-mosha 26-35 vjeç me 20 mijë e 405 kërkesa, më pas grup-mosha 36-45 vjeç me 19 mijë e 530 kërkesa, nga grup-mosha 46-55 janë regjistruar 13 mijë e 453, mbi 56 vjeç janë 10 mijë e 694 kërkesa për regjistrim dhe nga grup-mosha 18-25 vjeç janë 7 mijë e 138  kërkesa për regjistrim.

Kërkesat për regjistrime janë nga vende të ndryshme të botës.

Numri më i lartë i kërkesave është regjistruar nga Italia me 24 mijë e 820, e ndjekur nga Greqia me 18 mijë e 728, Gjermania me 9 mijë e 345, si dhe nga SHBA me 5 mijë e 757, Mbretëria e Bashkuar me 4 mijë e 656, Franca 1 mijë e 534.

Sa i takon kërkesave sipas qarqeve, numri më i lartë i aplikimeve është për Tiranën me 13 mijë e 316, më pas bashkia e Fierit me 10 mijë e 963, Korça me 8 mijë e 281, Durrësi me 6 mijë e 254, Berati me 5 mijë e 975,etj.

Këshilli i Ministrave miratoi buxhetin shtesë prej 2,5 miliardë lekësh për KQZ, për të mbuluar shpenzimet e postës për zarfet, në vajtje dhe ardhje, të fletës së votimit.

Fleta e votimit pritet të dërgohet me postë-rekomande nga KQZ-ja, siç ka konfirmuar edhe vetë kryekomisioneri Ilirjan Celibashi, në javën e dytë të muajit prill, zarf ky që do t’i dorëzohet vetëm votuesit e jo familjarëve.

Diaspora voton sivjet për herë të parë, ndërkohë që platforma PER do të jetë e hapur deri më 4 mars dhe për dokumentet e nevojshme nevojitet: kartë identiteti ose pasaportë shqiptare dhe për adresë duhet të ngarkojnë në sistem një dokument që përmban adresën e banimit.

 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme