Sekretari i Përgjithshëm i RCC, Amer Kapetanoviç, takon Zëvendëssekretaren e Përgjithshme të NATO-s, Radmila Shekerinska

Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC), Amer Kapetanoviç, u takua sot me Zëvendëssekretaren e Përgjithshme të NATO-s, Radmila Shekerinska, në kuadër të Forumit të Dubrovnikut. Takimi riafirmoi misionin e RCC-së për të promovuar integrimin evropian dhe euroatlantik si rrugë drejt paqes, sigurisë dhe prosperitetit në Evropën Juglindore.
Diskutimet theksuan rëndësinë e bashkëpunimit të fortë rajonal për të siguruar qëndrueshmëri, stabilitet dhe siguri afatgjatë në Ballkanin Perëndimor. Fokusi ishte në forcimin e bashkëpunimit rajonal për të përballuar sfidat e përbashkëta të sigurisë, duke filluar nga kërcënimet hibride deri te gatishmëria për kriza dhe qëndrueshmëria institucionale.
Sekretari i Përgjithshëm Kapetanoviç theksoi se siguria dhe stabiliteti i rajonit janë parakushte për përparim.
“Do të vazhdojmë të punojmë me të gjithë pjesëmarrësit tanë, duke përfshirë NATO-n, për të mbështetur reformat, ndërtuar besimin dhe siguruar që Ballkani Perëndimor të mbetet i ankoruar në të ardhmen e tij evropiane dhe euroatlantike,” u shpreh ai.
Gjatë bisedës, Kapetanoviç ndau të dhëna nga sondazhi i RCC-së, SecuriMeter, i cili pasqyron perceptimet e publikut mbi sfidat e sigurisë. Të dhënat tregojnë se qytetarët vazhdojnë t’i shohin BE-në dhe NATO-n si ndër organizatat më të besueshme në rajon.
Zëvendëssekretarja e Përgjithshme Shekerinska shprehu vlerësimin e NATO-s për punën e RCC-së, duke theksuar se RCC është kyçe për ndërtimin e stabilitetit rajonal dhe forcimin e lidhjeve në Evropën Juglindore dhe me institucionet euroatlantike. Ajo ritheksoi përkushtimin e NATO-s për të mbështetur këto përpjekje dhe për të avancuar qëllimin e përbashkët për një Ballkan Perëndimor të sigurt dhe të qëndrueshëm.
Lidhur me aktivitetet në vijim, Kapetanoviç njoftoi se RCC do të organizojë këtë nëntor tubimin më të madh rajonal të sigurisë, i njohur jozyrtarisht si ‘Jumbo Security’. Ky event do të bashkojë vendimmarrës, ekspertë të sigurisë dhe partnerë për të avancuar bashkëpunimin dhe qëndrueshmërinë në një moment kritik për Evropën Juglindore.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




