Sezon i mbarë për turizmin, prefekti i Kukësit: Angazhim për të prezantuar rajonin para turistëve

Aktualitet | 4 muaj më parë

Kjo verë po shënon një prani më të lartë të turistëve të huaj dhe vendas në të gjithë territorin e qarkut të Kukësit. Prefekti Dritan Baji e cilëson të mbarë nisjen e këtij sezoni, duke theksuar se Lugina e Valbonës mbetet më e frekuentuara nga vizitorët vendas e të huaj, pa lënë pas edhe destinacionet e Kukësit në Shtegun e Ngjyrave, Parkun Korab–Koritnik etj.

“Shifrat deri tani janë inkurajuese. Në të tre bashkitë ka një rritje të numrit të vizitorëve. Kjo është gjë e mirë. Gjithsesi, prapë mbetet sfidë që ky numër të vijojë të rritet sa më shumë. Pa dyshim, pjesën kryesore vazhdon ta ketë Tropoja për shkak të Luginës së Valbonës, e cila ka frekuentim të madh, ose më të madh krahasuar me dy bashkitë e tjera. Por edhe Kukësi sivjet ka një rritje të numrit të vizitorëve”, deklaroi prefekti i qarkut Kukës, Dritan Baji.

Institucionet përgjegjëse janë angazhuar për mbarëvajtjen e sezonit. Prefekti Baji thotë se po tregohet kujdes në menaxhimin e territorit në zonat turistike, kryesisht për mbetjet, me qëllim krijimin e një mjedisi prezantues dinjitoz të vendit para turistëve.

Për vetë specifikat e terrenit të Alpeve dhe Luginës së Valbonës, policia ka shtuar monitorimet dhe praninë e saj, duke u koordinuar me ekipet e kërkim-shpëtimit. Prefekti thotë se ka raste emergjencash ku kërkohet ndërhyrje e specializuar në zona me rrezikshmëri të lartë për turistët, duke përmendur edhe rastet e këtij sezoni.

“Policia gjithashtu është në gatishmëri për çdo nevojë që mund të ketë. Aktualisht kemi pasur dy raste ku është kërkuar nevoja për ndërhyrje për turistë, të cilët në rrugëtimin e tyre shpesh ngatërrohen dhe humbin rrugën. Nuk kanë pasoja shëndetësore”, shtoi Baji.

Vetëm Lugina e Valbonës këtë sezon pritet të ketë rreth 250 mijë vizitorë, nga 170 mijë që kishte sezonin e kaluar. Në Kukës, sezoni i kaluar numëroi rreth 10 mijë turistë të huaj, ndërsa këtë sezon pritet të ketë një dyfishim të numrit të tyre.

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme