SHBA–Iran takohen në Romë, zhvillohet raundi i dytë i bisedimeve për programin bërthamor

Ka nisur në Romë raundi i dytë i bisedimeve mbi programin bërthamor të Teheranit mes ministrit të Jashtëm të Iranit, Abbas Araghchi dhe të dërguarit amerikan për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, të cilat ndërmjetësohen nga Omani.
Takimi vjen një javë pasi të dy palët zhvilluan bisedime indirekte në Muskat. Ato ishin diskutimet e para në nivel të lartë mes dy vendeve që kur presidenti amerikan, Donald Trump, u tërhoq nga marrëveshja bërthamore në mandatin e tij të parë në vitin 2018.
Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara, kanë akuzuar prej kohësh Iranin se kërkon të prodhojë armë bërthamore, një akuzë që Teherani e ka mohuar vazhdimisht, duke këmbëngulur se programi i tij ka qëllime paqësore civile.
Teherani dhe Uashingtoni nuk kanë pasur marrëdhënie diplomatike që pas revolucionit islamik të Iranit të vitit 1979.
Pas kthimit në detyrë në janar, Trump rinisi presionet për sanksione kundër Iranit ndërsa në mars i dërgoi një letër udhëheqësit suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, duke kërkuar rinisjen e bisedimeve bërthamore. Ai paralajmëroi për veprime ushtarake nëse bisedimet diplomatike mes dy palëve dështonin.
Më herët, kryediplomati iranian tha se Teherani vërejti një shkallë serioziteti nga ana e palës amerikane gjatë raundit të parë të bisedimeve, por megjithëse vuri në pikëpyetje synimet e Shteteve të Bashkuara, ai konfirmoi pjesëmarrjen në takimin e Romës.
Gazetare: Vjollca Zharri
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




