Shpërblime rekord në Kupën e Botës/ 9 milionë euro, nëse Shqipëria kualifikohet

Kombëtarja | 11 muaj më parë

Kupa e Botës 2026 do të jetë më e pasura e të gjitha kohërave. Shpërblimet do të jenë në shifra rekord. Do të përfitonte jo pak edhe Shqipëria, nëse në mars do të kalojë fazën e play-off-it.

Këshilli i FIFA-s është mbledhur në prag të finales së Kupës Interkontinentale në Doha, ku ka marrë vendime të rëndësishme në lidhje me zhvillimin e futbollit të moshave dhe çështje financiare. Me entuziazmin në rritje pas hedhjes së shortit më 5 dhjetor 2025, Këshilli ka miratuar një kontribut financiar rekord: 620 milionë euro do të shpërndahen në Kupën e Botës.

Nga kjo shifër, 560 milionë euro, – që do të thotë rritje me 50% në krahasim me edicionin e fundit, – do të jepen si shpërblim për 48 skuadrat pjesëmarrëse. Skuadra kampione do të marrë rreth 42.6 milionë euro, kurse finalistja 28 milionë euro. Skuadra e vendit të tretë do të përfitojë rreth 24 milionë euro e kështu me radhë, deri te vendi i fundit.

Ato kombëtare që do të eliminohen që në fazën e parë do të përfitojnë rreth 7 milionë euro secila. Po ashtu, çdo skuadër e kualifikuar në Botëror do të marrë 1.2 milion euro për të mbuluar shpenzimet e përgatitjeve. Kjo do të thotë se të gjitha federatat pjesëmarrëse në Botëror kanë të garantuara të paktën 9 milionë euro secila.

Skuadra kampione e Kupës së Botës do të kthehej në shtëpi më shumë se 50 milionë euro. “Kupa e Botës FIFA 2026 do të jetë revolucionare edhe në lidhje me kontributin financiar për komunitetin futbollistik botëror”, – ka deklaruar presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino.

Në garë për Kupën e Botës është ende edhe Shqipëria, që në maj do të luajë shanset e saj në play-off. Nëse kuqezinjtë bëjnë mrekullinë ndaj Polonisë e më pas ndaj fituesit të çiftit Suedi-Ukrainë, FSHF do të arkëtonte të paktën 9 milionë euro.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme