Shqipëria, vendi me performancën më të lartë në rajon. BE-ja i jep 100 milionë euro sipas Planit të Rritjes Ekonomike

Ekonomi | 1 vit më parë

Bashkimi Evropian ka disbursuar 100 milionë euro për Shqipërinë në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, pasi vendi ka arritur një nivel të lartë zbatimi të reformave të parashikuara nga Agjenda e Reformës dhe Rritjes.

Sipas njoftimit të Delegacionit të BE-së në Tiranë, Shqipëria ka përmbushur 51% të masave të planifikuara, duke e renditur si vendin me performancën më të lartë në rajon.

“Shqipëria ka bërë përparim të konsiderueshëm në zbatimin e Axhendës së saj të Reformës dhe Rritjes sipas Planit të Rritjes të BE-së, duke përmbushur  21 nga 41 masat e planifikuara të reformës (51%) midis dhjetorit 2024 dhe qershorit 2025. Kjo ka bërë që Komisioni Evropian të  disbursojë 99.3 milionë euro  në kuadër të Programit të Reformës dhe Rritjes , duke e bërë Shqipërinë vendin me performancën më të lartë në rajon për këtë periudhë raportimi”, thuhet në njoftim.

Pagesa, e cila u njoftua nga  Presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen gjatë vizitës së saj në Tiranë javën e kaluar, dëshmon se Shqipëria ka zbatuar reforma strukturore të qëndrueshme në fusha kyçe si  energjia, dixhitalizimi, konkurrueshmëria, zhvillimi i qëndrueshëm dhe  integrimi ekonomik .

Ndërsa Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato, theksoi: “Plani i Rritjes i BE-së për Ballkanin Perëndimor po jep rezultate në Shqipëri. Vendi po bën përparim të qëndrueshëm përmes Axhendës së Reformës dhe Rritjes — dhe BE-ja po përgjigjet me të njëjtën monedhë. Ky disbursim i ri prej 100 milionë eurosh përputhet me hapat që Shqipëria ka ndërmarrë për të çuar përpara reformat që sjellin përfitime të prekshme për qytetarët e saj.”

Programi funksionon me raportim gjashtëmujor dhe disbursimi i ardhshëm pritet në pranverën e vitit 2026, bazuar në progresin e reformave të zbatuara deri në fund të këtij viti.

Plani i Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor është një iniciativë e nisur nga Komisioni Evropian në vitin 2023 për të përshpejtuar konvergjencën ekonomike të rajonit me Bashkimin Evropian dhe për t’u sjellë qytetarëve përfitimet e integrimit evropian edhe para anëtarësimit.

Plani mbështet  integrimin gradual të ekonomive të Ballkanit Perëndimor në Tregun e Përbashkët të BE-së dhe siguron fonde përmes Instrumentit për Reformë dhe Rritje , bazuar në progresin e partnerëve në zbatimin e reformave të dakorduara në fusha të tilla si  tranzicioni i energjisë, dixhitalizimi, sundimi i ligjit, konkurrueshmëria dhe zhvillimi i kapitalit njerëzor.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme