Shqipëria zhvillon turizmin mjekësor, ekspertët: Ofrohen shërbime cilësore me çmime konkurruese

Turizmi mjekësor është një industri që po shënon një rritje të shpejtë në Shqipëri, me shumë pacientë që kërkojnë shërbime mjekësore të cilësisë së lartë dhe çmime të përballueshme. Ekspertët në fushën e kirurgjisë plastike dhe stomatologjisë po theksojnë se Shqipëria ka arritur të pozicionohet si një destinacion tërheqës për shumë pacientë, veçanërisht nga Italia, të cilët kërkojnë trajtime estetike dhe dentare.
Në një intervistë për “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH, kirurgu plastik Panajot Papa tha se Italia është një prej tregjeve kryesore që tërheq pacientë në Shqipëri. Ai shton se kostot janë shumë më të ulëta në Shqipëri, por niveli i shërbimit është po aq i lartë, çka e bën vendin një opsion tërheqës për pacientët që duan të shfrytëzojnë mundësitë e turizmit mjekësor.
“Kryesisht janë italianë ata që preferojnë shërbimet mjekësore në vendin tonë ku kryesojnë kirurgjia plastike dhe stomatologjia dhe e treta është mbjellja e flokëve. Shpesh herë pacienti vjen nga jashtë kërkojnë shërbime të ndërthurura, ku pas shërbimeve te stomatologu, vijnë dhe bëjnë dhe ndërhyrje estetike. Lidhur me kirurgjitë plastike në kemi kosto më të ulët por cilësi të lartë dhe vendi ynë përtej shërbimit mjekësor në ditët që do rrinë këtu kryejnë edhe turizëm për të parë vendin. Në vendin tonë nuk kemi kërkesa të çuditshme për ndërhyrjet plastike, por jashtë vendit kam asistuar në një ndërhyrje për ndryshim të gjinisë. Kemi ndërhyrjen e rindërtimit të gjirit. Kirurgu plastik ka një shumëllojshmëri operacionesh dhe më të kërkuara janë ndërhyrjet në fytyrë ku kemi rritje të trajtime joinvazive me makineri”, tha ai
Nga ana tjetër, stomatologia Artemisa Halili shpjegon se turizmi dentar në Shqipëri ka njohur një zhvillim të madh, veçanërisht nga emigrantët shqiptarë që kthehen për pushime dhe shfrytëzojnë mundësinë për të kryer procedura dentare për shkak të çmimeve të ulëta.
“Turizmi mjekësor në përgjithësi ka nisur pasi emigrantët shqiptarë kur vinin me pushime këtë kohë e shpenzonin për të kryer procedurat dentare për shkak të çmimeve të ulëta. Më pas agjencitë turistike e panë këtë burim të ardhurash dhe ngritën turizmin dentar duke e zhvilluar këtë fushë. Kemi mjekë shumë të mirë të specializuar edhe në perëndim dhe ky trajtim tek ne merret në një kohë shumë të shkurtër, kemi mundësi akomodimi për këto pacientë dhe është zhvilluar për koston ekonomike që sjell. Njerëzit duan atë buzëqeshjen perfekte. Pacientët që vijnë direkt nga kompanitë vijnë për punë masive në Shqipëri kosto mesatare është 10-12 mijë euro, ndërsa në jashtë vendit shkon mbi 100 mijë euro. Stina më e mirë për ndërhyrjet kirurgjikale apo stomatologjike është nga tetorit deri në prill ku nuk ka temperatura të larta”, tha ajo.
Ekspertët shprehen se Shqipëria po bëhet një destinacion i rëndësishëm për turizmin mjekësor, duke ofruar shërbime cilësore me çmime të përballueshme. Ndërhyrjet kirurgjikale, sidomos në fushën e kirurgjisë plastike dhe stomatologjisë, janë ndër më të kërkuarat nga pacientët ndërkombëtarë, dhe ky trend ka të ngjarë të vazhdojë të rritet në vitet që vijnë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



