Si të dalloni simptomat e tuberkulozit, epidemiologia: Shqipëria ka pak raste, 232 të infektuar në 2024
Tuberkulozi vijon të mbetet një nga sëmundjet infektive më të rrezikshme, duke shkaktuar çdo vit mbi 1 milion vdekje në mbarë botën. Donika Mema, epidemiologe dhe koordinatore e programit të tuberkulozit në Institutin e Shëndetit Publik (ISHP), në një intervistë për emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH, theksoi se tuberkulozi është një sëmundje infektive ngjitëse që përhapet përmes ajrit.
Megjithatë ajo shtoi se Shqipëria mbetet një vend me incidencë të ulët, ku në 2024 u regjistruan 232 të infektuar me tuberkuloz. Epidemiologia Mema theksoi se tuberkulozi është plotësisht i shërueshëm nëse trajtohet me mjekim të duhur dhe në kohë.
“Tuberkulozi është një sëmundje infektive ngjitëse që përhapet vetëm ndërmjet ajrit kur kollitemi apo teshtijmë. Duke qenë një sëmundje e tillë të gjithë jemi të rrezikuar, por infektimi varet edhe nga faktorë të tjerë. Bazuar në të dhëna epidemiologjike vendi ynë është me incidencë të ulët nga viti në vit. Gjatë 2024 kemi 232 raste në total. Tuberkulozi është plotësisht i shërueshëm nëse merr mjekimin në rregull”, u shpreh ajo.
Sipas saj, edhe pse të gjithë janë të rrezikuar, disa faktorë si moshat aktive të popullatës dhe emigracioni ndihmojnë në përhapjen e tij, veçanërisht në shtetet me incidencë të lartë si Rumani dhe Bullgari.
“Ajo që duhet të na mbajë ne në alert është se tuberkulozin e kemi kryesisht në moshat aktive të popullatës ku ndikon edhe emigracioni dhe lëvizja e njerëzve. Kryesisht në raportin global janë vendet e treta si në Afrikë dhe në disa shtete të Evropës që kanë një numër të lartë të prekurish me tuberkuloz si Rumania apo Bullgaria. Në raportin e fundit global të 2024, tuberkulozi u rendit si sëmundja më vdekjeprurëse duke zënë vendin e parë dhe ia kaluar COVID-19. Aktualisht përdoren ende medikamentet që përdoreshin para 50 vitesh”, tha epidemiologia.
Epidemiologia Donika Mema theksoi se simptomat e tuberkulozit, si kollë e zgjatur, temperaturë e lartë, rënie në peshë dhe djersitje natën, shpesh mund të ngatërrohen me sëmundje të tjera pulmonare, si pneumonia.
“Kur një pacientë është me tuberkuloz masat janë edhe më të qarta, problemi është tek ato persona që nuk e dinë se kur personi është i infektuar. Tuberkulozi ka pak a shumë të njëjta shenja si sëmundjet e tjera pulmonare, dhe e bën të vështirë identifikimin nëse është thjeshtë një pneumoni apo është tuberkuloz. Kur një person ka një kollë të zgjatur prej 3-4 javë dhe predominon një temperaturë 37.5 gradë celsius, rënie në peshë, djersitje natën. Këto shenja thuajse i kanë të gjitha sëmundjet e tjera pulmonare, por diferencë përbën kolla e zgjatur edhe kur ke marrë mjekim me antibiotikë dhe nuk të ka dhënë efekt”, tha epidemiologia.
Mema përmendi gjithashtu rëndësinë e vaksinës kundër tuberkulozit, e cila mbron kryesisht fëmijët nga format e rënda të sëmundjes.
“Më parë bëhej tre vaksina për tuberkulozin, ndërsa tani është vetëm një vaksinë dhe është në lindje dhe ka një mbrojtje shumë të mirë. Vaksina është shumë e rëndësishme pasi i mbron shumë fëmijët nga format e rënda të tuberkulozit. Deri në moshën 5 vjeç i mbaron 100 %. Tek të rriturit nuk aplikohet më vaksina prej shumë vitesh për shkak të numrit të ulët të rasteve me tuberkuloz”, përfundoi ajo.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




