Spiropali vizitë zyrtare në Holandë, pritet nga homologu David van Weel. Takim me Thaçin në Hagë

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme Elisa Spiropali ka mbërritur për një vizitë zyrtare në Hagë të Mbretërisë së Holandës, ku do të pritet nga homologu David van Weel, me të cilin do të firmosin një deklaratë të përbashkët për fuqizimin e partneritetit në kontekstin e mbështetjes për integrimin europian të vendit.
Spiropali do të falenderojë Ministrin e Jashtëm për rekomandimin pozitiv që qeveria e tij ka dërguar në parlamentin holandez për çeljen brenda nëntorit të grupkapitullit 5 të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë.
Po ashtu, takimi do të fokusohet në mundësi të reja bashkëpunimi në fushat e ekonomisë, sigurisë dhe shkëmbimeve akademike.
Ditën e sotme (3 nëntor), Ministrja do të vizitojë ish-Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, në institucionin e paraburgimit të Gjykatës Speciale.
Ministrja do të mbajë një leksion të hapur në Universitetin e Shkencave të Aplikuara të Hagës, me studentët dhe akademikët e Programit të Studimeve Europiane rreth agjendës së angazhimeve që Shqipëria ka ndërmarrë për të garantuar standardet europiane.
Në mjediset e Ambasadës shqiptare, Spiropali do të mirëpritet edhe nga rrjeti i profesionistëve të rinj shqiptarë me banim në Holandë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




