Sulmi terrorist në Australi-Shkon në 16 numri i viktimave, mes tyre edhe një fëmijë

Botë | 11 muaj më parë

Numri i të vdekurve prej sulmit terrorist në plazhin e famshëm Bondi në Sidnei të Australisë ka shkuar në 16 dhe mes viktimave shënohet edhe një fëmijë që ndërroi jetë në spitalin e fëmijëve në Sidnei.

Dhjetëra të tjerë janë plagosur, rreth 38-40 persona, përfshirë dy oficerë policie dhe disa fëmijë të tjerë në gjendje të rëndë.

Mes viktimave është konfirmuar edhe Rabbi Eli Schlanger, një rabin i njohur i komunitetit Chabad në Bondi, i cili ishte një nga organizatorët e eventit “Chanukah by the Sea”, organizuar nga komuniteti hebre, kur sulmues të armatosur hapën zjarr mbi turmën.

“Kemi 16 persona që tani kanë humbur jetën, duke përfshirë një fëmijë. Kjo është absolutisht e tmerrshme për komunitetin në përgjithësi, por sidomos për komunitetin hebre dhe për të gjithë australianët”, u shpreh ministri i Shëndetësisë i New South Wales, Ryan Park.

Kryeministri australian Anthony Albanese e dënoi sulmin si “një akt antisemitizmi dhe terrorizmi që goditi zemrën e kombit tonë”.

Ai theksoi se “sulmi ishte i drejtuar kundër australianëve hebrenj në ditën e parë të Hanukkah-s, që duhet të ishte ditë gëzimi”.

Policia ka deklaruar ngjarjen si akt terrorist, i cili synonte specifikisht komunitetin hebre.

Dy autorët njëri prej të cilëve u neutralizua në vendngjarje dhe mbeti i vrarë, ndërsa tjetri është në gjendje kritike.

Hetimet janë duke vazhduar për të përcaktuar motivet dhe nëse ka të përfshirë të tjerë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme