Të dënuarit për krime lufte paraqiten si heronj, Bosnja pezullon kurrikulën nga shkollat

Bosnje-Hercegovina ka pezulluar kurrikulën për nxënësit e klasës së 9-të që i paraqiste si heronj të dënuarit për krime lufte, Ratko Mlladiq dhe Radovan Karaxhiq.
Ky reagim i Bosnje-Hercegovinës erdhi pasi Ministria e Arsimit e Republikës Sërpska solli një modul rreth luftës në Bosnjë dhe shkaktarët e saj nga këndvështrimi serb për nxënësit e klasës së nëntë.
Sipas këtij moduli, ish-lideri politik i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, dhe komandanti i përgjithshëm i ushtrisë së atëhershme serbe, Ratko Mlladiq – portretizohen si figura historike që mundësuan krijimin e Republikës Sërpska.

Karaxhiq dhe Mlladiq janë dënuar me burgim të përjetshëm për krime lufte dhe gjenocid nga Gjykata Penale Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë në Hagë.
Lufta shkatërruese në Bosnje, gjatë të cilës u vranë mbi 100.000 njerëz dhe rreth dy milionë të tjerë u zhvendosën, përfundoi pas një marrëveshje për paqe të sponsorizuar nga Shtetet e Bashkuara, e njohur si Marrëveshja e Dejtonit.
Me Marrëveshjen e Dejtonit të vitit 1995, Bosnja është ndarë në dy entitete autonome – Federata e Bosnje e Hercegovinës dhe Republika Sërpska – plus Qarku i Bërçkos, që është njësi administrative vetëqeverisëse. Të gjithë bashkë janë nën ombrellën e qeverisë federale dhe presidencës me rotacion.
Në një seancë të premten, gjykata vendosi ta pezullojë me efekt të menjëhershëm pjesën e kurrikulës që merret me luftën dhe krijimin e entitetit serb, pas kërkesës së 13 anëtarëve të Parlamentit të Bosnje e Hercegovinës.
Duke e shpjeguar pezullimin e përkohshëm deri në marrjen e një vendimi final, gjykata tha se zbatimi i atij moduli të kurrikulës rrezikon shkaktimin e përçarjeve dhe ndarjeve shtesë në mesin e nxënësve të etnive të ndryshme.
Në praktikë, gjykata shumetnike ka pushtet të kufizuar për ta bërë të detyrueshëm zbatimin e vendimeve të saj.
Republika Sërpska i ka tërhequr gjykatësit serbë në shenjë proteste kundër pranisë së vazhdueshme të gjykatësve të huaj që shërbejnë në bazë të marrëveshjes për paqe. Liderët serbë thonë se nuk e respektojnë vendimet e gjykatës dhe i kanë shpërfillur ato në të kaluarën.
Lideri i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, i cili është i sanksionuar nga Britania dhe Shtetet e Bashkuara për shkeljen e provizioneve të Marrëveshjes së Dejtonit, ka bërë thirrje vazhdimisht për ndarjen e entitetit serb nga Bosnja dhe bashkimin e tij me Serbinë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




