Tensionet në Ballkanin Perëndimor po rriten, Kallas: BE duhet të lëvizë më shpejt me zgjerimin

Kosovë | 2 vite më parë

Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, tha të hënën se tensionet në Ballkanin Perëndimor po rriten.

“Ne shohim se po rriten tensionet dhe definitivisht duhet të lëvizim me procesin e zgjerimit. Kjo është diçka e prekshme dhe vërtet na duhen histori suksesi,” tha znj. Kallas para takimit të Këshillit për Punët e Jashtme, që mbahet në Luksemburg.

Kallas nuk i përmendi shtetet, ku sipas saj po rriten tensionet, por së fundmi në Bosnjë-Hercegovinë, autoritetet në entitetin e Republikës Sërpska kanë ndërmarrë disa veprime, që kanë rritur shqetësimet e bashkësisë ndërkombëtare për shkëputjen e mundshme të këtij entiteti serb nga Bosnja.

Po ashtu, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë, që dialogojnë për normalizim të raporteve që nga viti 2011 në Bruksel, janë të larta qysh nga viti 2023, kur kryetarët shqiptarë morën drejtimin e katër komunave në veri të banuara me shumicë serbe, pasuar kjo me sulmin terrorist serb në veri, që la të vdekur rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Kryediplomatja evropiane tha po ashtu se një natë më parë pati “një darkë shumë të mirë me miqtë tanë” nga Ballkani Perëndimor. Në këtë darkë, Kosova u përfaqësua nga ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, e cila zhvilloi me znj. Kallas edhe një takim të ndarë, ku, siç tha, i kishte kërkuar kryediplomates që Kosova të trajtohet si “partnere e barabartë dhe e respektuar në të gjitha proceset integruese”.

Gazetar: Artur Mata

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme