Tiranë, modernizimi i shërbimeve në fokus të seminarit të rrjetit evropian të ISSA-së

Seminari i rrjetit evropian të Shoqatës Ndërkombëtare të Sigurimeve Shoqërore (ISSA) me temë “Forcimi i shërbimeve në skemat e pensioneve: Përmbushja e nevojave të personave të moshuar”, nisi sot punimet në Tiranë.
Seminari, i organizuar me pjesëmarrjen edhe të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, mbledh në Tiranë drejtues, ekspertë dhe përfaqësues të institucioneve të sigurimeve shoqërore nga vende të ndryshme evropiane, për të diskutuar mbi zhvillimet dhe sfidat e reja në ofrimin e shërbimeve të pensioneve.
Drejtori i përgjithshëm i ISSH-së, Astrit Hado, bëri të ditur se gjatë ditës së parë u prezantuan praktika dhe përvoja nga vende të ndryshme evropiane, me fokus përmirësimin e shërbimeve dhe përshtatjen e tyre me nevojat e qytetarëve.
Sipas Hados, Shqipëria u vlerësua për organizimin e aktivitetit dhe përpjekjet për modernizimin e shërbimeve të sigurimeve shoqërore.
Në diskutime u trajtua edhe reforma e pensioneve në Shqipëri. Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, theksoi se reforma synon qëndrueshmëri financiare, thjeshtësi në shërbime dhe përshtatje me ndryshimet demografike.
Një tjetër çështje e diskutuar ishte digjitalizimi i shërbimeve, me theksin se përdorimi i teknologjisë duhet të shoqërohet me asistencë njerëzore për të moshuarit, në mënyrë që procesi i transformimit digjital të mos krijojë barriera për këtë kategori.
Gjatë seminarit u diskutua edhe për automatizimin e proceseve, përdorimin e inteligjencës artificiale, llogaritësit online të pensioneve dhe trajtimin e karrierave ndërkombëtare.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




