Tiranë, protestë për ish-krerët e UÇK-së: Thirrje për drejtësi në Hagë, tubim në Sheshin Skënderbej
Këtë të premte, në orën 17:00, sheshi “Skënderbej” do të bëhet qendra e thirrjeve për drejtësi ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që vazhdojnë të mbahen në paraburgimin e Hagës. Organizimi synon të kërkojë drejtësi për figurat kryesore të luftës për lirinë e Kosovës.
“Ne si organizator të Veteranëve të Luftës kemi organizuar disa autobusë që të sjellim veteranët nga Kosova për në Shqipëri. Deri tani kemi të konfirmuar rreth 70 autobusë, por kemi plot dhe konfirmime të tjera që do vijnë me makina. Gjithashtu nga Maqedonia e Veriut do të vijnë shumë njerëz, po ashtu nga Lugina e Preshevës, por edhe nga shqiptarët e Malit të Zi. Po ashtu dhe nga mërgata, ku do të jetë një numër tepër i madh nga ata që kanë konfirmuar që do jenë pjesëmarrës. Nga ora 10:00 do të bëhet nisja me autobus të organizuar nga secili qytet. Do të fillojë fiks protesta në orën 17:00. Pasi të përfundojnë fjalimet, do shpërndahemi në qetësi. Protesta do të jetë paqësore” – u shpreh Gazmend Syla, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së.
Syla ka theksuar që për këtë organizim kanë pasur edhe mbështetjen e institucioneve shqiptare.
“Tirana është gur themeli i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe gjithçka ka filluar nga Tirana, stërvitjet e para bashkëluftëtarët tanë i kanë bërë këtu. Prandaj ideja ka qenë që të ndodhë dhe këtu një protestë dhe besoj se kjo do të jetë më e madhja e organizuar ndonjëherë. Pa ndihmën e institucioneve të shtetit shqiptar kjo protestë nuk do mund të funksiononte.”
Për të mbështetur protestën, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka njoftuar se Rruga e Kombit do të jetë pa pagesë për 24 orë këtë të premte.
Ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë dhe ndaj tyre po zhvillohet procesi gjyqësor.
Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza që të katërt i kanë mohuar.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




