Tradita e nxjerrjes së rakisë – Në Nokovë të Gjirokastrës, ku procesi ruhet me fanatizëm
Rakia është një nga traditat më të hershme të vendit tonë, e cila ruhet me fanatizëm nga banorët në shumë zona të Shqipërisë.
Në fshatin Nokovë, banorët po ndjekin këtë procese të bukur të sezonit.
Për ta, ky është një moment i veçantë, ku puna, kujdesi dhe tradita bashkohen duke dhënë një produkt që ka vlera si për përdorim familjar, ashtu edhe për mikpritjen shqiptare.
Një prej banorëve që e ka trashëguar këtë traditë është Pano Kaporani. Ai tregon se ka nisur të mësojë procesin e nxjerrjes së rakisë që në fëmijëri, duke ndjekur hap pas hapi çdo detaj nga familjarët e tij.
“Tradita e rakisë është kudo në vendin tonë. Sot është dita e parë që vë kazanin dhe tani do fillojë të nxjerr rakinë. Është dhe koha shumë e favorshme dhe e ngrohtë për të nxjerr rakinë”
Për Kaporanin, ky proces nuk është vetëm punë, por një art më vete që kërkon durim, përkushtim dhe dashuri.
“Është art më vetë dhe nuk është vetëm punë. Që nisin me mbledhjen e rrushit, depozitimi nëpër fuçi , dhe më pas duhet ta trazosh për rreth 10 ditë dy deri në tre herë që të fermentohet. Mbasi mbaron valën e fermentimit, rrushi nxjerr lëngun përsipër dhe këtë fazë është gati për tu zier.”
Ai shprehet se dëshiron që këtë pasion dhe dije ta lërë trashëgimi edhe tek të rinjtë.
Sipas tij, brezi i ri duhet të përpiqet të vazhdojë traditën e nxjerrjes së rakisë, në mënyrë që kjo pjesë e kulturës shqiptare të mos humbasë, por të ruhet si një simbol i lidhjes së fortë me rrënjët dhe zakonet e hershme të vendit.
“Mundohemi që t’ja lëmë dhe të rinjve këtë traditë.”
Nxjerrja e rakisë në Nokovë mbetet një traditë e gjallë që lidh të shkuarën me të tashmen. Banorët e shohin këtë proces si një trashëgimi që duhet ruajtur dhe përcjellë tek brezat e rinj, në mënyrë që ky art i vjetër shqiptar të vazhdojë të jetojë edhe në të ardhmen.
Gazetare: B. Pëllumbi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




