Trafikonin vajza nga Kina në Shqipëri, Goditet në Durrës grupi që i shfrytëzonte për prostitucion

Policia në Durrës ka shkatërruar një grup të strukturuar kriminal që rekrutonte vajza nga Kina për t’i shfrytëzuar për prostitucion në vendin tonë. Policia arrestoi në zonën e plazhit shtetasin Guangtai Lin, anëtar i grupit, i akuzuar për veprën penale shfrytëzim prostitucioni.
Gjithashtu janë shpallur në kërkim për veprën trafikim të qenieve njerëzore një nga organizatorët dhe menaxherja e grupit. Gjithashtu është nisur procedimi penal për veprën e prostitucionit për 7 vajza aziatike.
Sipas policisë në bashkëpunim me disa shtetas të tjerë në Vietnam, ende të paidentifikuar, pasi i rekrutonin vajzat në Kinë, këta persona i dërgonin më pas në Shqipëri, ku siguronin apartamente dhe makina me qira për kryerjen e aktivitetit të prostitucionit.
Hetimet 4 javore zbuluan se organizatori i grupit menaxhonte paratë që fitohej nga aktiviteti I paligjshëm dhe më pas ia dërgonte menaxheres që jeton në Bahrein, e cila bënte ndarjen e parave.
25% të fitimit i merrte për vete, 35% i merrte grupi që drejtonte aktivitetin kriminal nga Vietnami dhe 40% i merrnin vajzat e rekrutuara, si pagesë, në bankë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan shuma parash të përfituara nga prostitucioni, 13 celularë, 1 laptop, 1 fletore me shënime për vlerat monetare të përfituara dhe sende të tjera. Hetimet i kanë kaluar Prokurorisë.
RTSH
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




