“Transparent Albania”, Pirdeni: Rrit transparencën dhe aksesin në informacionin publik

Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, ka prezantuar platformën e re dixhitale “Transparent Albania”, një portë e re për të siguruar akses më të lehtë në informacion dhe për të rritur transparencën në menaxhimin e financave publike.
Pirdeni theksoi se kjo platformë synon të krijojë një qasje të re dhe inovative në lidhje me aksesin në informacionin publik, duke kontribuar në rivitalizimin e proceseve dhe ingranazheve të institucioneve publike në vend.
“Legjislacioni është baza, por zbatimi i tij mbetet çelësi i suksesit. Vizioni i Shqipërisë 2030 është referenca jonë e përbashkët për të ndërtuar institucione më të aksesueshme dhe më transparente për të gjithë qytetarët,” theksoi ajo.
Ministrja tha se platforma synon të ofrojë të dhëna të qarta, transparente dhe të aksesueshme për të gjithë qytetarët, në mënyrë që të rritet përgjegjësia dhe kontrolli publik mbi përdorimin e financave dhe të burimeve shtetërore.
“Për këtë sot paraqesim “Transparent Albania” ose “Shqipëria transaprante” dritaren më të re të informimit. Është një portë unike që mundëson aksesin më të lehtë dhe të shpejtë në një qasje më të gjerë të informacionit dhe kontaktit të drejtpërdrejtë me autoritet publike. Transparenca buxhetore do jetë kryefjala e kësaj platforme. Buxheti do jetë i lexueshëm për qytetarët mbi bazën e të dhënave që akordohen periodikisht nga Ministria e Financave. Një pasqyrë e veçantë do i dedikohet edhe projekteve të sektorëve të ndryshme dhe përqindjen e realizmit të tyre. Kjo do jetë edhe një porte për financat vendore për të pasur një vështrim 360 gradë se si janë të aksesueshme dhe përdoren financat publike në vend”, tha ajo.
Çfarë ofron “Transparent Albania”?
“Transparent Albania” do të shërbejë si një portë unike për qytetarët dhe aktorët publikë, duke ofruar:
Transparencë mbi financat publike: Të dhëna të qarta mbi buxhetin dhe financat që ndahen nga Ministria e Financave.
Informacion mbi projektet e financuara nga shteti: Pasqyrë mbi progresin e projekteve dhe përqindjen e realizimit të tyre në sektorë të ndryshëm.
Akses të plotë në financat vendore: Një pasqyrë 360 gradë mbi mënyrën sesi përdoren dhe ndahen burimet financiare në nivel vendor.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




