Trombektomia rikthehet në publik, QSUT hap shërbimin 24/7 për pacientët me insult ishemik
Për vite me radhë, pacientët me insult ishemik në Shqipëri nuk kanë pasur në sistemin publik akses të rregullt në një prej ndërhyrjeve më të rëndësishme për hapjen e enëve të bllokuara të trurit. Trombektomia mekanike, një procedurë që në disa raste mund të bëjë diferencën mes paaftësisë së rëndë dhe rikuperimit, mungonte.
Edhe pse QSUT kishte zhvilluar prej vitesh shërbimin neurovaskular dhe aplikonte trombolizën intravenoze, mungonte infrastruktura dhe organizimi i nevojshëm për një shërbim të qëndrueshëm të trombektomisë mekanike.
Sot ky boshllëk u mbyll. Ministrja e Shëndetësisë dha lajmin se nga 27 gushti ky shërbim është i disponueshme 24 orë në ditë.
“Që sot, trombektomia është në shërbim të qytetarëve në Qendrën Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’. Është një shërbim i strukturuar dhe i integruar i neuroradiologjisë diagnostikuese dhe intervenuese, që do të thotë se, përmes aparaturave moderne, mundësohet jo vetëm diagnostikimi, por edhe trajtimi i rasteve të insultit ishemik nëpërmjet trombektomisë mekanike. Në këtë shërbim do të trajtohen edhe patologji të tjera me origjinë vaskulare, si aneurizmat, të cilat deri më sot nuk trajtoheshin”, u shpreh ministrja Sala,
Në zemër të investimit është Angiografi Biplanar dhe Kabineti i Radiologjisë Intervencionuese, që mundësojnë jo vetëm diagnostikimin e saktë të bllokimeve vaskulare, por edhe ndërhyrjen drejtpërdrejt në enët e gjakut për heqjen e trombit. Risi është edhe fakti që shërbimi është konceptuar si një strukturë e integruar, ku neuroradiologët intervenues bashkëpunojnë me neurologët, neurokirurgët, terapinë intensive dhe Shërbimin e Strokut. I gjithë ekipi është trajnuar .
Kapaciteti i parashikuar është rreth 200 procedura të avancuara endovaskulare në vit. Procedura është veçanërisht e rëndësishme për pacientët me insult ishemik akut, ku koha është një faktor vendimtar. Sa më shpejt të rikthehet qarkullimi i gjakut në tru, aq më e madhe është mundësia për të kufizuar dëmtimet neurologjike.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




