Turistja austriake humb rrugën në Karaburun, shpëtohet nga policia dhe Forca Delta

Shërbimet e Policisë Kufitare në Dhërmi në bashkëpunim me Forcën Delta i kanë ardhur në ndihmë një turisteje nga Austria, e cila kishte humbur rrugën gjatë eksplorimit në gadishullin e Karaburunit dhe nuk mund të kthehej pas.
Sipas njoftimit të policisë, bëhet e ditur se mëngjesin e ditës së sotme, shërbimet e Policisë Kufitare Dhërmi “morën njoftim nga një operator turistik se një turiste e huaj kishte humbur rrugën në një zonë të pyllëzuar në Karaburun dhe kërkonte ndihmë. Menjëherë u krijua një grup pune nga shërbimet e Policisë Kufitare Dhërmi dhe Forca Delta, në bashkëpunim me specialistin e Administratës Rajonale të Zonave të Mbrojtura Vlorë dhe Stacionin e Policisë Orikum, për të nisur kërkimet”
“Pas disa orësh kërkimesh, u bë i mundur lokalizimi i turistes austriake, në zonën e quajtur “Gjiri i Nezhës”, të cilës iu dha ndihma e nevojshme dhe u transportua drejt Himarës me mjetin lundrues të Policisë Kufitare, në gjendje të mirë shëndetësore. Turistja falënderoi shërbimet për reagimin dhe mbështetjen e ofruar.
Policia e Vlorës mbetet e angazhuar për të ndihmuar qytetarët dhe turistët në çdo situatë që kërkon ndërhyrje, duke garantuar sigurinë e tyre në çdo moment. Për çdo rast emergjence, mund të kontaktoni në numrin pa pagesë 112”, thuhet në njoftimin e policisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




