Turizmi sfida për ekosistemin, ambientalistët thirrje për mbrojtjen e florës dhe faunës së ligatineve
Pikat më të njohura turistike në brigjet e liqenit të Shkodrës, Shiroka dhe Zogaj, po frekuentohen gjithnjë e më shumë nga vizitorë vendas dhe të huaj, të cilët tërhiqen nga peizazhi natyror, biodiversiteti i pasur dhe oferta karakteristike kulinare e zonës.
Megjithatë, ekspertët e mjedisit vlerësojnë se zhvillimi i turizmit duhet të shoqërohet me politika dhe masa të qarta për mbrojtjen e ekosistemit, në mënyrë që ky potencial natyror të ruhet edhe për brezat e ardhshëm.
“Që të keni turizëm të qëndrueshëm është edhe përgjegjësi institucionale, por edhe vetë tur operatorëve apo agjencive që merren me turizmin, që duhet të kenë kujdes me numrin e vizitorëve që vizitojnë apo zhvillojnë aktivitete në liqenin e Shkodrës në mënyrë që të mbrojnë këtë ekosistem”, Aurora Piroviq Biologe , aktiviste mjedisore.
Po ashtu, ekspertët theksojnë se monitorimi i vazhdueshëm i ekosistemit përmes metodave shkencore është një ndër instrumentet më të rëndësishme për identifikimin në kohë të ndikimeve negative dhe minimizimin e dëmeve të mundshme në mjedis.
“Burimet ujore dhe natyrore shpesh herë janë pre edhe kërkesave të vazhdueshme që njerëzit kanë për të plotësuar kërkesat e tyre dhe natyrisht që presioni që u drejtohet këtyre burimeve është është shumë i madh. Pra, nuk mund të flasim për kritere të ruajtjes nëse nuk e dimë se si është gjendja reale tek ekosistemi”, Aurora Dibra, Biologe , pedagoge në Universitetin e Shkodrës.
Në mbështetje të ruajtjes së vlerave natyrore të liqenit të Shkodrës dhe për të frenuar ndikimet negative që mund të sjellë zhvillimi i pakontrolluar i turizmit, prej vitesh veprojnë organizata dhe grupe mjedisore lokale te cilat ndërmarrin nisma ndërgjegjësuese dhe aksione vullnetare për pastrimin e brigjeve të liqenit.
Gazetar: A.Hoti
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




