Udhëheqësit e BE-së përpiqen ta transformojnë Evropën në një superfuqi ushtarake

Samitin e BE-së e karakterizoi një përpjekje për të ruajtur unitetin, por dallimet mes vendeve anëtare po bëhen gjithnjë e më të qarta.
Udhëheqësit e Bashkimit Evropian thanë të enjten se do të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën, por ata nuk e miratuan menjëherë thirrjen e presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy për të miratuar një paketë prej të paktën 5 miliardë eurosh për blerjet e artilerisë.
Ndërkohë, presidenti Zelensky vazhdon të kërkojë mbështetje të pakushtëzuar, ndërsa BE-ja përballet me sfidën e ruajtjes së kohezionit të saj në një nga çështjet më të rëndësishme gjeopolitike të kohës.
“Ne kemi nevojë për fonde për predha artilerie dhe do të vlerësonim vërtet mbështetjen e Evropës me të paktën pesë miliardë euro (5.42 miliardë dollarë) sa më shpejt të jetë e mundur,” tha Zelenskiy në takimin e liderëve të BE-së në Bruksel përmes lidhjes video.
Tw mbledhur sërish në Bruksel për një samit të rëndësishëm, të tretin brenda gjashtë javësh liderët e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, pavarësisht synimit për të ruajtur unitetin, përçarjet brenda bllokut po bëhen gjithnjë e më të dukshme.
Me të mbërritur në samitin në Bruksel, shefja e politikës së jashtme të bllokut, Kaja Kallas, u kishte bërë thirrje gjithashtu liderëve që të përputhin fjalët e mbështetjes për Kievin me veprat, ndërsa presidenti i SHBA Donald Trump vazhdon me përpjekjet e tij për t’i dhënë fund luftës, duke përfshirë një afrim me Rusinë.
“Sa më të fortë të jenë në fushën e betejës, aq më të fortë janë prapa tryezës së negociatave,” tha Kallas për ukrainasit.
Në deklaratën që të gjithë liderët miratuan në takim – përveç Viktor Orban të Hungarisë – ata u zotuan të “vazhdojnë t’i ofrojnë Ukrainës mbështetje financiare të rregullt dhe të parashikueshme”. Ata thanë gjithashtu se shtetet anëtare duhet të “rrisin urgjentisht përpjekjet për të adresuar nevojat urgjente ushtarake dhe të mbrojtjes të Ukrainës”.
Një nga vendimet kryesore të samitit ishte rritja e ndihmës ushtarake për Ukrainën, veçanërisht në sigurimin e municioneve të kalibrit të rëndë dhe raketave. BE-ja gjithashtu u angazhua për të garantuar një mbështetje financiare të qëndrueshme dhe të parashikueshme për Ukrainën përmes mekanizmave të financimit evropian dhe iniciativës G7 Era.
Një tjetër pikë kyçe ishte nevoja për të ofruar garanci të forta sigurie për Ukrainën, në mënyrë që të parandalohet një agresion i ardhshëm nga Rusia. Udhëheqësit e BE-së shprehën gatishmërinë për të kontribuar në këtë proces në bashkëpunim me NATO-n dhe partnerët ndërkombëtarë.
Pavarësisht vendimeve të rëndësishme, Hungaria refuzoi të mbështeste konkluzionet e samitit në lidhje me Ukrainën, duke e detyruar BE-në t’i miratonte ato pa firmën e Budapestit.
Kryeministri Viktor Orbán vazhdon të kundërshtojë mbështetjen e pakushtëzuar ndaj Kievit dhe ka kërkuar një qasje më të kujdesshme ndaj sanksioneve kundër Rusisë.
“Ka kërcënime të ndryshme,” u tha Orbán gazetarëve të mbledhur në zonën e shtypit të Këshillit, duke përmendur migrimin si shembull. “Riarmatimi i vendeve evropiane: Po. Riarmatimi i vendeve jashtë Evropës: Jo,” tha ai, duke përmbledhur qëndrimin e Hungarisë.
Ndërsa liderët kalojnë nëpër listën e tyre të gjatë të temave për t’u diskutuar, nga konkurrenca në Lindjen e Mesme te energjia, qëllimi kryesor i mbledhjes është të gjejë paratë dhe të hartojë rregullat e nevojshme për ta kthyer bllokun në një superfuqi ushtarake.
Me kaq shumë për t’u mbuluar, Presidenti i Këshillit Evropian António Costa ka paralajmëruar liderët se mund t’u duhet të qëndrojnë për dy ditë këtë herë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




