Ukraina godet për herë të parë Rusinë me raketa amerikane, Moska e konfirmon

Dy ditë pasi presidenti amerikan Joe Biden autorizoi Ukrainën të sulmojë Rusinë me raketa me rreze të gjatë veprimi, Forcat e Mbrojtjes të Ukrainës goditën për herë të parë territorin rus me raketa balistike Atacms, të prodhuara nga SHBA.
Kjo është raportuar nga media “RBC Ukraine”, duke cituar një burim nga Forcat e Armatosura të Ukrainës.
“Në të vërtetë, Atacms u përdor për herë të parë për të goditur territorin e Federatës Ruse. Sulmi u krye në një objekt në rajonin Bryansk dhe u shkatërrua me sukses”, tha një burim i mbrojtjes për median ukrainase RBC Ukraine.
Karaçev ndodhet rreth 130 kilometra nga kufiri ukrainas.
Vendimi që lejon Kievin të përdorë Sistemin Raketor Taktik të Ushtrisë, ose ATACM, për sulme më tej brenda Rusisë, vjen pasi Presidenti Vladimir Putin pozicionoi trupat e Koresë së Veriut përgjatë kufirit verior të Ukrainës në përpjekje për të rimarrë qindra milje të territorit të kapur nga forcat ukrainase.
Sipas agjencisë TASS, mbrojtja ajrore ruse rrëzoi pesë raketa ATACMS mbi rajonin Bryansk, tha Ministria e Mbrojtjes.
Pjesë të raketave ATACMS ranë në territorin e një objekti ushtarak, duke shkaktuar një zjarr që tashmë është shuar. Nuk pati viktima apo dëme.
Nëse konfirmohet, sulmi do të shënojë herën e parë që Ukraina ka përdorur armët amerikane me rreze më të gjatë për të goditur objektiva brenda thellësisë së territorit rus.
Pas vendimit të presidentit amerikan, Vladimir Putin nënshkroi një ligj që lejon një sulm bërthamor në përgjigje të një sulmi me raketa me rreze të gjatë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




