Vangjeli: Shteti hyn garant për investime të tilla
Në emisionin “Trialog” të moderuar nga gazetarja Alba Alishani, analisti Lorenc Vangjeli komentoi çështjen e pronave në zonën e Zvërnecit dhe projektin e investimit që po diskutohet për atë territor.
Në analizën e tij, ai theksoi se roli i shtetit është vendimtar për garantimin e sigurisë juridike dhe për të mundësuar realizimin e projekteve të tilla.
“SPAK-u ka trazuar kutinë e Pandorës së Vlorës, atje ku janë ndryshuar një dyzinë drejtorësh. Investimi është shumë i madh, dhe janë shumë para, dhe këtu dalim në diçka tjetër që shteti duhet të hyjë garant për investime të tilla.”
Ai nënvizoi se fluksi i kapitalit që pritet të hyjë në Shqipëri është i jashtëzakonshëm dhe për këtë arsye qeveria duhet të kishte treguar kujdes të veçantë mbi statusin juridik të sipërfaqes ku parashikohet ndërtimi.
“Pikërisht që janë kaq miliard, që është një fluks i pabesueshëm për ekonominë shqiptare, një qeveri duhet të kujdesej mbi statusin juridik të sipërfaqes së ndërtimit. Pikërisht prej peshës së këtyre miliardave, apo dhe peshës së mbiemrit Trump, dhe këtu bëhet fjalë edhe për një investim politik që është ndaj vendit tonë, duhet të sqarohej me imtësi statusi juridik i asaj toke. Duhet të ishin hapur letrat dhe në çdo rrethanë duhet të ishin sqaruar.”
Vangjeli shtoi se qeveria duhej të kishte ndërmarrë edhe procedurën e shpronësimit për interes publik, duke e konsideruar këtë investim si një nga rastet më të qarta ku interesi publik është i lidhur drejtpërdrejt me zhvillimin ekonomik të vendit.
“Nuk do të kishte interes më të madh publik sesa një fluks kaq të madh investimi që premtohet të vijë në Shqipëri. Shteti duhet të ishte garant. Shteti duhet të hyjë garant për të rregulluar parregullsinë, për të ndrequr çdo lloj falsifikimi të mundshëm dhe për t’u afruar si garant i këtij investimi.”
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




