Vaskulitet kërkon vlerësim të specializuar, diagnostikimi në kohë ndihmon në menaxhimin e sëmundjes reumatizmale
Vaskuliteti është një problem shëndetësor që kërkon vlerësim të specializuar dhe ndjekje mjekësore. Mjekja reumatologe, Nerënxa Ajasllari shpjegon shkaqet e kësaj sëmundje.
“Vaskuliti është një grup sëmundjesh reumatologjike autoimune, të cilat kanë të bëjnë me inflamacionin e enëve të gjakut. Ky inflamacion mund të shkaktojë ngushtim ose bllokim të tyre dhe, në varësi të enëve që preken, mund të shkaktojë dëmtime edhe në organe të ndryshme. Mund të shkaktojë prekje të mushkërive, përfshirë hemorragji pulmonare, prekje të veshkave, syve ose trurit”, u shpreh Nerwnxa Ajasllari, Mjeke reumatologe.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm lidhet me shenjat që shfaqen dhe mënyrën e diagnostikimit.
“Shenjat të cilat shpeshherë fillojnë janë një temperaturë e zgjatur, rënie në peshë dhe lodhje e theksuar. Më pas, në varësi të organeve specifike që preken, sëmundja mund të manifestohet me shenja në lëkurë, siç janë purpurat, të cilat, kur shtypen me gisht, nuk largohen. Nëpërmjet ekzaminimeve imazherike dhe analizave laboratorike, vaskuliti mund të diagnostikohet dhe të trajtohet në mënyrën e duhur”, tha ajo.
Trajtimi dhe ndjekja mjekësore janë pjesë e rëndësishme e menaxhimit të vaskulitit.
“Vaskuliti mund të mjekohet dhe të mbahet nën kontroll, por duhet pasur parasysh se mund të ketë aktivizime të shpeshta. Prandaj, pacienti duhet të jetë gjithmonë nën ndjekjen e mjekut reumatolog. Nëse nuk trajtohen, këto janë sëmundje që mund të jenë kërcënuese për jetën, për shkak të prekjes së organeve që mund të shkaktojnë”, tha mjekja.
Diagnostikimi dhe trajtimi në kohë ndihmojnë në kontrollin e sëmundjes dhe në parandalimin e komplikacioneve.
Gazetare: Blerta Cina
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




