Veliaj në Kushtetuese, Berisha: Mbështes arrestimin, por dënoj shkeljen e procedurave ligjore

Politikë | 1 vit më parë

Dalja e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, para Gjykatës Kushtetuese këtë të premte (31 tetor) nuk kaloi pa vëmendjen e opozitës.

Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi se mbështet arrestimin e Veliajt, por dënon mënyrën se si janë ndjekur procedurat ligjore ndaj tij.

“Një nga protestat më të shkëlqyera dhe më të rëndësishme që ka bërë PD, dega e Tiranës, por edhe qytetarë të ardhur nga e gjithë Shqipëria, është protesta për arrestimin e Erion Veliajt. Një kryetar bashkie që ka firmosur mbi një incenerator 130 milionë euro dhe nuk i gjendet as nami, as nishani. Nuk është hetuar sepse mbi firmën e tij qëndron Edi Rama,” u shpreh Berisha.

Sipas tij, Veliaj duhej të ishte hetuar prej kohësh për aferën e inceneratorëve, por drejtësia ka vepruar me standarde të dyfishta.

“Ne e kemi mbështetur dhe e mbështesim arrestimin e tij, dënimin e tij, por duhet të jemi të drejtë. Procedurat ligjore janë thelbësore për të drejtat e njeriut dhe për shtetin ligjor,”  theksoi ai.

Berisha iu referua edhe zhvillimeve në Këshillin Bashkiak të Tiranës, duke kritikuar mënyrën e shpejtë të marrjes së vendimeve pas njoftimit për seancën në Kushtetuese.

“Në Këshillin Bashkiak u morën 9 vendime brenda një dite, si për të larë duart me mua. U lumtë këshilltarëve tanë që, ndonëse kishin një armik përballë, kërkuan me këmbëngulje që Veliaj të dëgjohej në sallën e këshillit. Procedura është përcaktuese për të drejtat e njeriut,” u shpreh kreu i PD-së.

Erion Veliaj doli sot para Gjykatën Kushtetuese për ankimin e bërë nga vetë ai, kundër vendimit të kryeministrit për shkarkimin e tij nga detyra, si dhe dekretit përkatës të firmosur nga Presidenti Bajram Begaj.

Sakaq Gjykata Kushtetuese vendosi pezullimin e dekretit të presidentit për Bashkinë e Tiranës, bashki e cila drejtohej nga Erion Veliaj.

Erion Veliaj ndodhet në paraburgimin e Durrësit që prej muajit shkurt të këtij viti, pasi ndaj tij janë ngritur akuza për korrupsion dhe pastrim parash.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme