Veliaj pret skiatoren Lara Colturi: 2024 viti i rekordeve. Rrisim mbështetjen për sportistët

Aktualitet | 2 vite më parë

Kryebashkiaku Erion Veliaj përgëzoi skiatoren e Sport Klub Tiranës, Lara Colturi, për arritjen e saj të jashtëzakonshme, vendin e dytë në kampionatin botëror të skive, një sukses i madh për Shqipërinë. Ai u shpreh krenar që flamuri shqiptar u ngrit në podium, duke e quajtur këtë një moment historik sportin shqiptar.

“Është kënaqësi e jashtëzakonshme të presim në Bashkinë e Tiranës gocën tonë, Lara Colturi, sportiste e Sport Klub Tiranës, e skuadrës së Shqipërisë, e cila ka bërë një punë të jashtëzakonshme bashke me Elvis Toçin dhe gjithë skuadrën e Federatës së Skive, në një vend me logjistikë modeste për sportin e skive, por me një skuadër me super talente. Para se Lara të jetë kampione e botës është një super vajzë dhe ajo që kam parë nga garat është se rrethohet me shumë dashuri. Jemi shumë krenarë për ty”, tha Veliaj.  

Duke vlerësuar rezultatet e arritura këtë vit, Veliaj premtoi se “Sport Klub Tirana” dhe bashkia do të japin më shumë mbështetje për sportistët e talentuar.

“Ne do të vijojmë të mbështesim sportistët e talentuar përmes drejtorisë sonë të Sportit dhe Sport Klub Tiranën. Ky vit ka qenë viti i rekordeve. Për herë të parë morëm medaljet olimpike dhe për herë të parë prekim një podium të skive. Eshtë podiumi i parë, por shpresoj jo i fundit. Me shpresë nuk do i ndahemi podiumeve dhe me shpresë gjithashtu, që Lara do jetë një model edhe për vajzat e tjera në Shqipëri dhe do vazhdojë të na bëjë krenarë”, u shpreh kryebashkiaku.

Me të njëjtat emocione si në ditën garës, skiatorja kuqezi rrëfeu përjetimet e këtij suksesi të jashtëzakonshëm. “Ishte e mrekullueshme! Pas raundit të parë isha e katërta, vetëm një hap larg podiumit. Në fund, mendova thjesht për t’u argëtuar dhe kur pashë se ia dola ishte një emocion i veçantë. Nuk po e besoja dhe ndoshta edhe tani nuk më besohet”, tha Colturi.

Presidenti i Federatës së Skive në Shqipëri, Elvis Toçi, vlerësoi mbështetjen e Bashkisë së Tiranës dhe kryetarit Veliaj, për arritjen e këtij suksesi në ski, që deri më tani është më i madhi në Shqipëri.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme