Veteranët e UÇK protestë në Tiranë, thirrje shqiptarëve që më 17 tetor të mblidhen në sheshin “Skënderbej”

Nën moton “Të gjithë bashkë për drejtësi”, Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës organizon në Tiranë, protestën e radhës në mbrojtje të ish- krerëve të UÇK-së.
Kreu i organizatës Hysni Gucati bëri thirrje që të gjithë shqiptarët kudo ndodhen më 17 tetor në orën 17:00 të mblidhen në sheshin “Skënderbej”.
“… pas protestave në Prishtinë dhe Hagë, protestën e radhës ta organizojmë në Tiranë. Mirënjohje për qeverinë e shtetit shqiptar për mbështetjen dhe përkrahjen e vazhdueshme. Drejtësi për Çlirimtarët kundër padrejtësive që po u bëhen atyre. U drejtohemi të gjithë shqiptarëve të bashkohemi në protestën paqësore në Tiranë … në Sheshin “Skënderbej“ më 17 tetor ora 17:00. UÇK gjenezën e ka në Shqipëri , kjo është arsyeja pse kemi vendosur ta mbajmë protestën paqësore në Tiranë”, tha Gucati.
Xhavit Jashari, Kryetar i Familjeve të Dëshmorëve të Luftës tha se populli shqiptar duhet të reagojë pasi lufta UÇK-së ka përmasa kombëtare. Ai vuri në dukje se qeveria shqiptare ka kërkuar një rezolute të përbashkët Kosovë- Shqipëri që ta dërgojë në Këshillin e Evropës.
“Obligohen institucionet në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup të kërkojnë dhe të reagojnë, jo të përzihen me punët e drejtësisë. Kemi arsye të protestojmë pa dallim dhe të ngremë zërin se falsifikimet brenda gjykatës speciale janë tronditëse. Te akuzosh UÇK-në si organizatë kriminale mendoj se janë qëllime të thella kur argumentohet e faktohet se kjo prokurori ka bashkëpunuar ngushtë me prokurorinë në Serbi dhe qëllimi i saj është kriminalizimi i luftës së UÇK-së”, tha Jashari.
Azgan Haklaj, Kreu i Unionit Artistik Kombëtar u shpreh se krerët e UÇK-së po mbahen në Hagë me akuza të rreme.
“Motoja jonë është “Edhe unë jam UÇK, drejtësi dhe liri për çlirimtarët.” Më 17 tetor në sheshin “Skënderbej të gjithë shqiptarët do të vijnë për t’i dhënë një mbështetje të fuqishme UÇK-së dhe drejtuesve të saj që ndodhen nën akuza të fabrikuara dhe dëshmitarë të rremë në Hagë”, tha Haklaj.
Ndërsa Fadil Shurdhaj, kryetar i Shoqatës së Invalidëve të Luftës përsëriti thirrjen për pjesëmarrje të gjerë më 17 tetor.
“Ftesë që më 17 tetor ora 17:00 të na bashkohen të gjithë kundër padrejtësive që po bëhen ndaj çlirimtarëve në Hagë” , nënvizoi ai.
Ish-krerët e UÇK-së Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë prej 5 vitesh, ndërsa nga 15 shtatori mbrojtja e tyre ka nisur paraqitjen e provave dhe thirrjen e dëshmitarëve.
Gazetare: Vjollca Zharri
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




