Vllaznia, kampione dimri

Vllaznia është kampione e dimrit në futbollin e vajzave në sezonin 2025-2026. Skuadra shkodrane kampione në fuqi, e drejtuar nga Nikolin Leka, e ka mbyllur pjesën e parë të këtij sezoni me 8 fitore në 8 ndeshje në totalin 24 pikë. Në ndeshjen e fundit, që është luajtur në Shtëpinë e Futbollit dhe që ka ardhur drejtpërdrejtë në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar, Vllaznia ka mundur 5-1 Gramshin.
Goli i parë ka ardhur në fundin e 45 minutave të para, teksa Megi Doçi, në një goditje dënimi, e ka lëshuar topin në formën e parabolës, ndërsa Durmishi në një dalje të sigurtë e sheh sferën në rrjetë. Sapo ka nisur pjesa e dytë krijohet zona për Lebën, e cila shënon në portën e boshatisur, ndërsa më parë Durmishi nuk kishte mundur të ndalonte Doçin. Në të 53’, shënon Groves në një top të kthyer nga mbrojtësja e katërkëndorit të Gramshit, teksa kishte goditur Bajraktari me kokë. Një gol që është quajtur i rregullt pas verifikimit në sistemin VAR.
Ka kohë dhe për një gol të katërt, që mban firmën e Tereza Dedës. Në të pakta dalje në sulm, Gramshi gjen golin e nderit me brazilianen Garsia Davila Maria Xhulja, gol që është kontrolluar dhe konfirmuar nga sistemi VAR. Dhe në fund vjen përsëri Megi Doçi, kjo në të 79’, për të fiksuar shifrat e rezultatit 5-1 për Vllazninë. Pra një dominim i plotë i kampionatit nga Vllaznia, kurse për Gramshin, që fazën e parë e mbylli në kuotën e 16 pikë dhe në vendin e tretë, shumë gjëra për të korrigjuar në lojë.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




