Vllaznia shpallet kampione e kampionatit Abissnet Superiore U-16

Vllaznia ka fituar titullin kampion në kampionatin “Abissnet Superiore U-16” për sezonin 2025/2026, duke kurorëzuar me sukses një sezon të shkëlqyer në futbollin e moshave.
Skuadra shkodrane siguroi vendin e parë pas javës së fundit të kampionatit, teksa triumfoi 2-1 ndaj Tiranës në stadiumin “Reshit Rusi”, në një përballje direkte mes dy skuadrave që luftuan për titullin deri në fund.
Vllaznia e mbylli kampionatin në krye të renditjes me 42 pikë të grumbulluara, duke lënë pas Tiranën me 39 pikë. Ecuria pozitive dhe paraqitjet e qëndrueshme gjatë gjithë edicionit bënë që skuadra shkodrane të shpallej me meritë kampione e “Abissnet Superiore U-16”.
Pas përfundimit të takimit u zhvillua ceremonia e dorëzimit të trofeut për ekipin kampion. Kupën për Vllazninë e dorëzoi anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Armando Cungu, i cili përgëzoi futbollistët dhe stafin teknik për suksesin e arritur.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




